Kombinati metalurgjik “Trepça” tash e katër muaj po kërkon punëtorë të rinj. Në fakt miniera e njohur me nxjerrjen e xeheve dhe mineraleve të çmuara është duke kërkuar më shumë se 200 punëtorë. Por, ndërmarrja që po planifikon rritjen e stafit, ka probleme me paga. Atje disa nga minatorët dhe punëtorët nuk kanë marrë ende komplet pagën e muajit dhjetor të vitit 2019.
Qysh në fund të muajit shtator të vitit të kaluar miniera e “Trepçës” hapi konkurs për pranimin e 230 punonjësve të ri.
E për këto vende kanë aplikuar më shumë se 2 mijë qytetarë, kështu të paktën ka thënë kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të “Trepçës”, Gani Osmani.
E derisa “Trepça” kërkon punësimin e 230 punonjësve të rinj, janë disa punëtorë të kësaj miniere që ende nuk e kanë marrë një pjesë të rrogës së muajit dhjetor.
Këtë e konfirmon për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, Gani Osmani, kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të “Trepçës”, i cili tha se disa punëtorë ende nuk i kanë marrë një pjesë të rrogës dhe benefitet që iu takojnë për rrezikshmërinë në vendin e punës.
“Sot i 22-ti dhe ende nuk i kanë paguar. Ne i kemi edhe ratat e kredive, e marrëveshja ka qenë për me u bo pagesat prej 7 deri e 10 me i marrë rrogat. Para Vitit të Ri e kanë qitë një pjesë, pra 60 për qind, por 40 për qind nuk e kanë dhënë ende. Disa minatorë i kanë marrë, por jo të gjithë. Gjithsej ndoshta janë mbi 200 që nuk kanë marrë rroga”, tregon Osmani.
Ai tregoi se kush nuk e mori pagën e plotë në muajin dhjetor.
“Edhe 40 për qind e rrogës për muajin dhjetor iu mungon një pjesë të administratës, por edhe në ‘Trepçë’ dhe sigurimit fizik. Kurse minatorëve iu mungojnë një pjesë stimulative që kanë qenë për rrezikshmëri në punë e ato nuk u janë pagu”, sqaron Osmani.
Kryesindikalisti Osmani ka dhënë edhe detaje të konkursit që ishte hapur qysh në muajin shtator të vitit që lamë pas.
“Trepça ka hapur konkurs për pranimin e 230 punonjësve të ri. Nuk e di numrin e saktë, ama diku afër dy mijë veta kanë aplikuar në këtë konkurs. 150 janë për minierën e flotacionit “Stan Tërg”, diku 60 ose 70 kanë qenë konkurse të hapura për sipërfaqe. Do të thotë për këso pozita jashtë prodhimit që janë. Tash punëtorët që kanë aplikuar i kanë marrë në test me shkrim e tash janë në test me gojë duke e kryer dhe tash nuk e dimë çka po ndodhë se neve si sindikatë nuk na ka thirr askush dhe asgjë nuk na është thënë nga drejtoria”, tha ai.
Sipas disa llogaritjeve të sindikatës, që nga viti 2011 Miniera e “Trepçës” i ka më pak më shumë se 300 punëtorë.
Kjo pasi për çdo vit, janë rreth 25 apo 30 punëtorë të minierës që dalin në pension, kurse në këtë vit (2020-të) do të dalin në pension 32 minatorë.
“Për çdo vit më së paku 25 apo 30 dalin në pension. Në këtë vit, pra 2020-të dalin 32 minatorë në pension. Por, nga viti 2011-të kur i kanë marrë 150 veta atëherë, më punëtorë nuk kanë marrë. Vetëm kanë marrë ndonjë kontratë mbi vepër, por me konkurs punëtorë prej 2011-tës nuk kanë marrë. Prej asaj kohe, llogaritur pensionistët dhe ata që kanë vdekur përmbi 300 punëtorë janë mangu”, tregon Osmani.
Në këtë rast, kryesindikalisti thotë se punëtorët që janë kërkuar për minierë janë më se të nevojshëm, por Trepça nuk ka pasur fare nevojë për punëtorë të rinj që janë kërkuar në angazhohen në sipërfaqe.
“Këta që janë dedikuar për minierë janë për prodhim, por këta për sipërfaqe nuk di pse po kërkohen, se në sipërfaqe punëtorë ka boll”, thotë ai.
Ndërkaq, javë më parë kreyshefiekzektuiv i Minierës së “Trepcës” Sh.A, Basri Ibrahimi, në një intervistë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, ka treguar për problemet me të cilat po ballafaqohet kjo minierë.
Mosha e shtyrë e punëtorëve, mungesa e njerëzve të fushës së profesionit, teknologjia e vjetruar, gjendja e energjisë elektrike, ajrimi që është brenda minierës së “Trepçës”, janë vetëm disa nga problemet me të cilat përballet pasuria e ‘fjetur’ e Kosovës.