Doktor Arben Vitia njihet më së shumti nga mandati i tij si drejtor i Drejtorisë së Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës.
Puna e tij për rreth 5 vjet si udhëheqës në shëndetësinë primare në kryeqytet është vlerësuar si një nga sukseset e qeverisjes së komunës së Prishtinës, shkruan Gazeta Shneta.
Vitia më herët ka punuar edhe në sektorin privat, konkretisht në kompaninë farmaceutike “Agani” dhe kompaninë “Keis” në cilësinë e këshilltarit profesional.
Më poshtë është biografia e plotë e tij:
Arben Vitia u lind me 24 dhjetor 1973, në Prishtinë. Ai diplomoi në Qendrën Spitalore Universitare në Tiranë, drejtimi Mjekësi e Përgjithshme. Gjatë vitit 2003-2004 ka punuar si Mjek në Mitrovicë. Ka punuar si Këshilltar profesional në kompaninë “Agani” dhe në kompaninë “Keis”. Që nga viti 2010, ai është aktivist në Lëvizjen VETËVENDOSJE! ku është angazhuar dhe ka drejtuar Komitetin për Shëndetësi.
Në vitet 2013-2018 ka qenë Drejtor në Drejtorinë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Prishtinës, e cilësuar si një nga drejtoritë me të suksesshme gjatë dy mandateve. Ka ndjekur trajnime dhe programe të shumta për shëndetin publik dhe menaxhimin në shëndetësi duke përfshirë programin IVLP “Public Health Issues in the US” në ShBA.
Në vitin 2018 është emëruar si Koordinator i Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe po në atë vit është zgjedhur si Kryetar i kësaj Qendre ku vazhdon të jetë akoma. Arbeni është anëtar i Kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE!.
Është i martuar dhe ka dy fëmijë.