Thaçi reagon për herë të parë për largimin e portretit të tij nga Vjosa Osmani

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka folur për herë të parë për vendimin e Vjosa Osmanit për zhvendosjen e fotografisë së tij nga zyra e kryetares së Kuvendit të Kosovës.

Thaçi ka thënë në emisionin “A Show”, në televizionin T7, se nuk ka “ndjesi private, personale, në asnjë rrethanë” rreth veprimit të Osmanit.

“Sjellja e kryetares së Kuvendit duhet të jetë në raport me institucionet dhe me ligjin”, ka shtuar presidenti.

Reklama e sponzorizuar

Thaçi ka thënë se “të gjithë duhet të jemi shembull të sjelljes institucionale, dhe jo të sjelljeve të inateve politike, apo sjelljeve artificiale, me pretendim elektoral”.

“Njeriu kur e merr përgjegjësinë institucionale, shtetërore, prioritet e ka respektimin e Kushtetutës dhe ligjeve”, ka theksuar Thaçi.

“Nuk dëshiroj të merrem me personin në fjalë. Më së paku sjellja joinstitucionale i takon partisë që ajo i takon, dhe filozofisë së presidentit Ibrahim Rugova”, është shprehur ai.

“Nuk më brengos në rrafshin personal dhe privat, por duhet të kemi pjekuri politike”, ka deklaruar presidenti kosovar.