Mbi 8 milionë euro kanë paguar në vitin 2018 qytetarët e Kosovës për KEDS-in në emër të borxhit të keq. Kjo shumë qytetarëve iu ngarkohet si barrë për çdo vitë në faturat e energjisë elektrike. Kjo falë Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE).
Borxhi i keq llogaritet si përqindje e arsyeshme në të hyrat e ndërmarrjes për vlerën e faturimit nga shitja e shërbimeve duke marr parasysh se një shumë e saj objektivisht nuk mund të arkëtohet.
Mirëpo auditorët e shtetit në raportin e fundit konstatojnë se kjo tarifë e vendosur nga ZRRE është e pabazuar në ndonjë ligj apo rregullore, meqë “ZRRE nuk ka një rregullore për klasifikimin e llogarive të arkëtueshme dhe me fokus të veçantë për identifikimin e borxheve të kqija”.
“Niveli i aprovuar i borxhit të keq për vitin 2018 ishte aprovuar në nivel të ngjajshëm si në vitet e mëhershme prej 4% për energji elektrike dhe që ndikimi i kësaj përqindje në HLM ishte 8.57 mil Euro që është kategori mjaft domethënëse dhe me ndikim material në nivelin e tarifave”, thuhet në raportin e fundit të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) të titulluar “Sistemi i Përcaktimit të Tarifave të Energjisë Elektrike, Termike dhe atyre të Ujësjellësit”.
Për me tepër, Auditori konstaton se “vendosja e borxhit të keq në nivel prej 4% për KESCO, ishte bërë pa një analizë të detajuar për të dëshmuar se ky nivel i aplikuar në tarifa është i argumentuar.
“Analiza e ZRRE për përcaktimin e nivelit të borxhit të keq të pranueshëm nuk kishte përcaktuar qartë kushtet të cilat duhet të përmbushen për t’a konsideruar si të pranueshëm një borxh të keq”, thuhet aty.
Ndryshe, metodologjia për përcaktimin e tarifave përfshinë edhe komponentin e borxhit të keq i cili është pjesë përbërëse e të hyrave të lejuara. Rregullatori në përcaktimin e të Hyrave për KESCO lejon një nivel të borxhit të keq, duke u bazuar në të dhënat historike dhe pritshmërinë për përmirësim të performancës. /Buletini Ekonomik/