Publicisti Halil Matoshi ka reaguar ndaj deklarimeve të dy deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajçinovci dhe Hekuran Murati, të cilët kanë arsyetuar vendimin e Kurtit si kryeministë për uljen e pagave të qeveritarëve.
Në vazhdën e shkrimeve të tij, Matoshi ka thënë se dy deputetët gabuan njëjtë sikurse Kurti, që e justifikuan një vendim të tillë.
Shkrimi i plotë i Matoshit:
Pyetja Nr. 4 për pushtetin
Duke e justifiku vendimin e Kurtit, gabuan edhe Mefail Bajçinivci e Hekuran Murati?
Ish kolegu im dhe tash deputeti i nderuar Mefail Bajçinovci në sprovën e tij me e justifiku vendimin e pamenduar e peshuar mirë, të Kryeministrit (Kurti është edhe Kryeministër imi, legal, Mefail!) ka bërë një gabim themelor. Ngjashëm ka vepru edhe Hekuran Murati. Ai ka thënë:
“Vendimi ul pagat e qeverise, nuk prek ato te sistemit te drejtesise, dhe nuk bie ndesh me ligjin, perkunder disa pretendimeve te bera sot gjate dites
Kushdo qe deshiron te komentoje mbi ligjshmerine e vendimeve, duhet se pari te sigurohet qe ligji te cilit i referohet te mos jete i shfuqizuar.”
Dhe që të dytë, kanë gabu pikërisht duke u mbështetë në nenin 35, pika 1 dhe 2 të Ligjit për gjykatat, të shfuqizuar nga Ligji i pagave.
Ligji për pagat është i qartë. Me aprovimin e ligjit në Kuvend është shfuqizu me automatizëm vendimi i Qeverisë për rritjen e pagave të Kryeministrisë. Sepse norma ligjore është mbi vendimin e Kryeministrit. Kryeministri Albin Kurti ka shfuqizuar një vendim të pararendësit të tij, për pompë mediale, i cili tashmë ishte i paobjekt.
Pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve duhet të jenë ekuivalente ose jo më pak se ajo e kryeministrit, në këtë rast, 2150 euro.
Aty ku flet ligji pushon vullneti politik, sado popullor të jetë (nuk po them popullist!???) derisa ai vullnet të mos bëhet normë ligjore. Nëse me vendim qeveritar, e zbritë pagën e Kryeministrit e jo edhe te atyre kategorive, kjo paraqet shkelje të ligjit. Nuk mundet Kryeministri me e bë ligjin, i cili tashmë është i bërë.
Është çështje e Kuvendit jo e ekzekutivit!?
Pak sqarime shtesë pse Kryeministri Kurti e ka shkelë ligjin:
Me Ligjin e pagave, Kryeministri hyn në grupin A2 me koeficientin 9 (vlera e koeficientit 239 euro);
Pra, ligji në germë thotë:
Neni 24/Ulja e nivelit të pagës: Niveli i pagës, i përcaktuar sipas këtij ligji, në situata të jashtëzakonshme të vështirësive financiare, mund të ulet me ligj. Dhe: Neni 32: Ndalimi dhe përcaktimi i ekuivalencës:
- Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, ndalohet çdo ndryshim në strukturën, komponentët apo nivelet e koeficienteve të pagave.
A duhej që pas këtyre pasaktësive manupulative (po i quaj gabime për ta ruajtë respektin për Mefailin dhe Hekuranin!?) pushteti legjitim me kërku falje publike?
Apo kolegë, mos është ky standard i lartë për Kosovën?