Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa përmes një statusi në Facebook, ka bërë të ditur emrat propozuar të zëvendësministrave në qeverinë e Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike.
Më poshtë edhe statusi i plotë i Isa Mustafës dhe emrat e zëvendësministrave të LDK-së:
Të nderuar qytetarë,
Pas trajtimit në Kryesi, të çështjes së zëvendësministrave, ia kam ofruar Kryeministrit Kurti këto kuadra të LDK-së për zëvendësministra: Agim Krasniqi, zëvendësministër i Financave dhe Transfereve. Ekonomist. Ka punuar një kohë të gjatë si drejtor i Departamentit të Buxhetit, ka qenë Zëvendësministër i Financave dhe Ministër në Detyrë i Financave. Anëtar i Këshillit të Ekspertëve të LDK-së.
Xhavit Rexhaj – zëvendësministër i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit. Profesor. Ka udhëhequr grupin e akspertëve të Lidhjes Dekokratike të Kosovë për hartimin e programit të arsimit të LDK. Ka mbaruar studime master në Varshavë e në Oxford në fushën e studimeve britaneze, në Prishtinë e në Zagreb në fushën e letërsisë angleze dhe pedagogjisë, studimet e doktoratës në Universitetin e Tiranës dhe studimet postdoktorale në Universitetin e Nju Jorkut dhe të Los Angjelosit. Ka mbaruar specializim në fushën e reformave të arsimit të lartë në Budapest. Ka qenë drejtor i departamentit të arsimit në Ministrinë e Arsimit. Është profesor në Kolegjin AAB.
Fatbardha Emini, Zëvendësministre e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal. Juriste. Anëtare e Këshillit të Drejtorëve në Komunën e Vitisë, Drejtoreshë e Drejtorisë së Kadastrit dhe tani drejtoreshë e Drejtorisë së Arsimit. Ka kryer studimet master. Anëtare e KP të LDK-së.
Ismet Beqiri, Zëvendësministër i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Jurist. Ka qenë Kryetar i Kuvendit Komunal të Prishtinës, drejtor i Kompanisë publike Sport-marketingu, deputet i Kuvendit në disa mandate. Sekretar i Përgjithshëm i LDK-së, tani nënkryetar i LDK-së.
Florian Dushi, Zëvendësministër i Drejtësisë. Jurist. Ka qenë Sekretar Permanent i Ministrisë së Drejtësisë, Zëvendësministër i Drejtësisë, anëtar i KQZ-së. Ka ushtruat detyrën e Avokatit. Anëtar i Kryesisë s LDK-së. Kandidatet dhe kandidatët tjerë do të caktohen në ditët në vijim.