Qeveria e Kosovës ka aprovuar kërkesën e Komisionit Qendror Zgjedhor për ndarjen e mjeteve financiare për zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës së Podujevës.
Në dokumentin që e ka siguruar Gazeta Express, Qeveria ka ndarë 393 mijë e 474 euro për mbajtjen e zgjedhjeve për Kryetar të Podujevës, 100 mijë euro më pak sesa kishte kërkuar KQZ-ja.
KQZ-ja kishte kërkuar nga qeveria e Kosovës që të ndajë 491 mijë euro për dy roundet në këtë zgjedhje.
Ministri, Besnik Bislimi në mbledhjen e qeverisë e quajti zhvatje kërkesën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të ndarë nga buxheti i shtetit rreth 116 mijë euro për paga dhe mëditje të komisionerëve që do të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme në Podujevë.
Mirëpo, zëvendëskryeministri Avdullah Hoti si përgjigje për Bislimin tha se qeveria duhet që të kujdeset që të mos jep kualifikime, që mund të jenë të pabazuar.
“Të kujdesemi si qeveri që asnjëherë të mos japim kualifikime që mund të jenë bindje tona personale, por, që mund të jenë të pabazuara. Ju e keni obligim, duhet të kujdeseni që çdo cent që ndahet për KQZ-në të shpenzohen sipas rregullativës, ju duhet të kujdeseni se si po shpenzohen këto mjete”, tha Hoti
Në vendim thuhet se mjetet e ndara sipas këtij vendimi mund të përdoren vetëm për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Podujevë në kategorinë e shpenzimeve mallra dhe shërbime dhe shpenzime komunale dhe mjetet e pashpenzuara duhet të kthehen në buxhetin e Kosovës./GazetaExpress/