Vetëm në vitin e fundit, në Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP) janë punësuar rreth 20 persona me kontrata të rregullta, shumë prej të cilëve të afërt me partinë që udhëheq me këtë agjenci – Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Së fundi, aty punë ka gjetur edhe vajza e Blerim Kuçit, anëtar i kryesisë në AAK.
Sipas dokumenteve të siguruara nga Buletini Ekonomik, fjala është për Emirë Kuçin, e punësuar me 5 shkurt të këtij viti, si Zyrtare për buxhet dhe financa.
Blerim Kuçi është anëtar i kryesisë së AAK-së, përderisa drejtori i AKP-së Valon Tolaj, para se të merrte këtë pozitë ka qenë sekretar në këtë parti.
Në dokumentet që ka siguruar Buletini Ekonomik bëhet fjalë për 18 të punësuar në pozita të ndryshme brenda këtij institucioni. Të gjithë me kontrata të rregullta.
Në pozitën e ofruar për Zyrtar ekzekutiv të drejtorit menaxhues në AKP kishte gjetur vendin e punës kandidati Binak Vishaj, i cili iu bashkua kësaj agjencie me 22 mars të 2019-s. Edhe Vishaj vjen nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), dhe për një kohë ka mbajtur pozitën e anëtarit të KQZ-së nga kjo parti.
Sipas dokumenteve, në pozitën e zyrtarit administrues të drejtorit menaxhues është punësuar Labinot Smajlaj, i cili ishte caktuar si kandidati më i suksesshëm për këtë pozitë më datën 25 mars të vitit 2019.
Edhe Smajlaj shihet të jetë i afërt me AAK-në sipas aktivitetit të tij nëpër rrjete sociale.
Ndërkaq, në maj të 2019-s, AKP brenda një dite të vetme kishte shpallur 4 kandidatë të suksesshëm në disa pozita brenda organeve të tij. Saktësisht më 5 maj , AKP-ja kishte njoftuar se ka shpallur kandidatët e suksesshëm për pozitat, si: Zyrtar administrativ rajonal për zonën rajonale të Prishtinës, Zyrtar ligjor për shqyrtimin e dokumenteve të shitjes, për pozitën e Zyrtarit për operacione dhe administrim të aseteve në zonën rajonale të Gjilanit, si dhe Zyrtarin për operacione dhe administrim të aseteve në zonën rajonale të Pejës.
Si Zyrtare administrative rajonale në zonën rajonale të Prishtinës brenda AKP-së ishte përcaktuar Arberita Bruqi më datën 5 maj të 2019-s, kurse si Zyrtar ligjor për shqyrtimin e dokumenteve të shitjes ishte caktuar Sefer Shabani.
Ndërkaq, pozitën e Zyrtarit për operacione dhe administrim të aseteve në zonën rajonale të Gjilanit e kishte fituar Roland Nevzati, si dhe Memli Dula pozitën e njëjtë por në zonën rajonale të Pejës.
Për dy pozitat e larta, pas vetëm një muaji (10-11 qershor 2019) janë shpallur edhe dy kandidatë tjerë të suksesshëm, ndonëse në ato pozita ishin caktuar paraprakisht Nevzati dhe Dula. Granit Spahiu për zonën rajonale të Gjilanit dhe Vjosa Selimaj për zonën rajonale të Pejës ishin dy kandidatët e rinj që do ta përfaqësonin AKP-në si zyrtarë administrativ nëpër këto dy zona rajonale.
Ndërkohë, më datë 23 të muajit korrik, vend në AKP do të zintë edhe Fitore Geci Gagica si Zyrtare dhe person kontaktues për qasje në dokumente publike, kurse një ditë më vonë do të emërohej edhe Gegë Lleshi si Zyrtar për marrëdhënie me investitorë.
E në gushtin e 2019-s do të plotësohej edhe një pozitë e AKP-së, si ajo e Zyrtarit operativ i njësisë së Trepçës me Jahir Demakun në krye. Përpos këtyre, edhe pozita e Zyrtarit për pagesa të listave të 20 për qindshit u plotësua me Hamdi Dautin, më datën 23 shtator 2019.
Në pozitën e Zyrtarit për operacione dhe administrim të aseteve të zonës rajonale të Prishtinës u caktua Nita Hashani Berisha më datën 4 tetor, kurse me 8 tetor të 2019-s do të caktohej edhe Rina Sfishta po ashtu si Zyrtare për operacione dhe administrim të aseteve të zonës rajonale të Prishtinës.
Ndonëse është paralajmëruar nga qeveria Kurti që Agjencia Kosovare e Privatizimi të shuhet, i njëjti institucion gjatë këtij muaji ka bërë edhe dy punësime tjera, për dy pozita si Zyrtar i financave dhe buxhetit, ku u caktua Emirë Kuçi më 5 shkurt, si dhe Fitore Sylejmani që fitoi pozitën e Zyrtares financiare. /Buletini Ekonomik/