Rreth 200 mërgimtarë kontrollohen në Merdar, njëri dyshohet të jetë me koronavirus

Rreth 200 persona, nga ora 7:00 deri në orën 13:00 të ditës së sotme, kanë hyrë në Kosovë nga pika kufitare në Merdar, e ku shumica e tyre vijnë nga Gjermania, Austria, Kroacia dhe Serbia.

Të gjithë personat që kaluan përmes kësaj pike kufitare u janë nënshtruar kontrolleve mjekësore për koronavirus, e gjatë ditës së sotme një person që kishte ardhur në Kosovë nga Gjermania përmes kësaj pike kufitare, është dërguar në Klinikën Infektive si i dyshuar me Covid-19, raporton KP-ja.

Doktoresha Shqipe Ramadani, tha se në këtë pikë kufitare janë kontrolluar të gjithë udhëtarët që kanë hyrë në Kosovë.

Reklama e sponzorizuar

Ajo ka dhënë detaje rreth personit që është dyshuar si i infektuar me koronavirus, derisa thekson se i njëjti ka pasur temperaturë të lartë.

“Pak më parë patëm një rast të cilin e dërguam në Klinikë me temperaturë pak të lartë”, tha ajo.

Ramadani tha se si staf mjekësor nuk janë pajisur mjaftueshëm me material mbrojtës nga koronavirusi.

Gjatë kohës sa ekipi i KP-së ka qëndruar në pikën kufitare Merdar, nga aty një numër i madh i udhëtarëve kanë hyrë në Kosovë.

Fevzi Zaka në Kosovë ka ardhur nga Gjermania për pushim, ndërsa kontrollet që bëhen në kufi i sheh si të mira për parandalim të koronavirusit.

“E vlerësojmë këtë kontroll, është për të mirën tonë, besoj që me u marrë masat parandaluese janë të mira”, tha Zeka.