Para pak çastesh ka përfunduar mbledhja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Gazeta Blic nga burime brenda kësaj mbledhjeje ka marrë vesh se janë disa deputetë, gjegjësisht 5 deputetë që nuk e kanë nënshkruar mocionin.
“Vjosa Osmani, Haxhi Avdyli, Ardian shala, Sarnda Musliu e Valentina Bunjaku që nuk e kanë nënshkruar mocionin për rrëzimin e Qeverisë Kurti”, tha një burim brenda mbledhjes së Grupit Parlamentar të LDK-së.
Sipas këtij burimi, shumica e deputetëve në diskutimet e tyre kanë qenë fuqishëm kundër ndonjë koalicioni me Partinë Demokratike të Kosovës.
“Shumica e deputetëve kanë qenë kundër koalicionit të mundshëm me PDK-në, përjashto 2 ose 3 deputetë, që kanë qenë për koalicionit me partinë e Veselit”, tha ky burim.
Gjithnjë sipas këtij burimi, edhe ata deputetë që e kanë nënshkruar mocionin, si rasti i Marigona Gecit, këtë e kanë bërë më kusht që nuk do të ketë ndonjë koalicion të mundshëm me PDK-në, tha ky burim i Gazeta Blic.
Sipas këtij burimi, Vjosa Osmani ka qenë shumë e qartë në deklaratën e saj, që nuk bën të ngritet mocion ndaj Qeverisë Kurti, sepse kjo me automatizëm do të nënkuptonte koalicion me PAN-in.
Vërejtjë ndaj mocionit ka ngritur edhe deputeti Kujtim Shala.
“Kujtim Shala ka theksuar në takim se ka qenë kundër mënyrës së si është proceduar me mocion. Ai ka thënë para deputetëve se kishte kërkuar kohë 2-3 ditë nga partia, për mënyrën se si do të formulohej ky mocion”, tha ky burim i Gazeta Blic.
Në mbledhje të Grupit Parlamentar ka munguar edhe deputeti, Fatmir Rexhepi, i cili njihet si njeri pro koalicionit me Vetëvendosjen.
Para pak çastesh, një konferencë me gazetar e ka mbajtur edhe Gani Geci, babi i deputetes së LDK-së, Marigona Geci ka folur pas zhvillimeve në vend.
Ai ka thënë para gazetarëve se vajza e tij në asnjë rrethanë nuk do të votojë një koalicion të mundshëm me Partinë Demokratike të Kosovës.
“Kurrë, asnjëherë në asnjë formë nuk do ta votojë Marigonë Geci”, ka theksuar Geci, raporton gazeta Blic.