Duke bashkuar forcat, kompanitë e automobilizmit nëpër botë kanë ndërmarrë masat e para për t’u dalë në përkrahje autoriteteve për të luftuar shpërndarjen e koronavirusit.
“General Motors”, “Ford” dhe “Tesla” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë premtuar mbështetjen e tyre për të ofruar burime për prodhimin e më shumë ventilatorëve, së bashku me prodhuesin japonez të veturave “Nissan” dhe “Formula 1” në Mbretërinë e Bashkuar.
Impiante të mëdha veturash në SHBA, Evropë dhe Azi kanë ndaluar prodhimin në përpjekje për të ndihmuar në parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Nën një partneritet me emrin “Project Apollo”, “Ford Motor” i është bashkuar njësisë për kujdesin shëndetësor të “General Electric” dhe “3M Co”, për të punuar në sektorin e prodhimit të pajisjeve mbrojtëse të domosdoshme kundër pandemisë që ka pushtuar botën, e që deri të mërkurën ka marrë jetën e gati 19 mijë njerëzve.
Përhapja masive e virusit ka goditur të gjitha sistemet shëndetësore në botë dhe ka bërë që të shihet mungesë e ventilatorëve të domosdoshëm për të trajtuar pacientët që vuajnë nga sëmundja, e cila u sjell atyre probleme në frymëmarrje dhe probleme me pneumoni në disa raste kritike.
“Kemi qenë në bisedë të rregullt me zyrtarët federalë, shtetërorë e lokalë për të kuptuar hapësirat ku janë nevojat më të mëdha”, ka thënë shefi ekzekutiv i “Fordit”, Jim Hackett.
“Ford” ka njoftuar se partneritetit iu vu emri “Project Apollo”, për shkak se lansimi i “Apollo 13” më 1970 dështoi të ulej në Hënë për shkak se një tank oksigjeni dështoi dy ditë gjatë misionit, duke detyruar astronautët të improvizonin rregullimin.
“Ford” dhe “GE” do të rrisin prodhimin e ventilatorëve të “GE-së” të dizajnuar për të përkrahur pacientët me probleme respiratore ose ata me vështirësi në frymëmarrje, të shkaktuar nga patogjeni. Pos kësaj, ata po zhvillojnë një dizajn tjetër të cilin “Ford”-i mund të nisë ta prodhojë në një nga fabrikat e veta.