Të paktën një milion njerëz kanë humbur punën e tyre gjatë dy javëve të fundit në Europë sipas të dhënave më të fundit nga Konfederata e Sindikatave Evropiane (ETUC).
Shifrat befasuese vijnë nga raportet e paraqitura nga sindikatat në të gjithë Europën, dhe përfshijnë vetëm punonjësit me kontratë që kanë aplikuar për përfitime të papunësisë.
“Ajo që ne po përjetojmë në këtë moment, veçanërisht në javën e fundit, është se numri i kompanive që zhduken nga tregu po rritet në mënyrë dramatike,” shpjegon Luca Visentini, Sekretari i Përgjithshëm i ETUC.
“Mijëra e mijëra ndërmarrje të vogla dhe të mesme që janë bllokuar nuk do të mund të kthehen në treg sepse po vdesin. Dhe nga ana tjetër ne jemi dëshmitarë të të paktën e një milion punëtorve që u bënë të papunë nëpër vendet e ndryshme të Europës për shkak të masave të marra për parandalimin e virusit”.
Numri i vërtetë i të papunëve, përfshirë ato pa kontrata dhe punonjësit e pavarur mund të jetë shumë më i lartë.
Javën e kaluar Organizata Ndërkombëtare e Punës raportoi se humbjet e mundshme të vendeve të punës mund të arrijnë në 36 milionë në të gjithë botën.
Dhe pjesa më e madhe e këtyre humbjeve do të ndodhin në Europë nëse unioni nuk merr vendime urgjente se si të merret me këtë emergjencë të krijuar nga Covid-19 “, paralajmëron Visentini.
Sindikatat po i bëjnë thirrje BE-së të kursejë vendet e punës me sistemet e zëvendësimit të të ardhurave. Që kjo të funksionojë, nevojitet një fond prej 200-400 miliardë eurosh. Përndryshe, menaxhimi i krizave më vonë do të kushtojë shumë më tepër, sipas Visentinit, shkruan Euronews.
Sidoqoftë, jo të gjitha vendet e BE-së janë në të njëjtën ‘anije’ për një instrument të përbashkët borxhi për të zgjidhur krizën. BE tashmë ka njoftuar se ata do t’i lejojnë vendet anëtare të përdorin fondet tashmë ekzistuese, me vlerë 37 miliardë euro. ETUC ka 45 milion anëtarë nga 39 vende në të gjithë Europën.