Kryeziu thotë se në fund të muajit nis plotësisht zbatimi i Pakos Emergjente Fiskale

Zëdhënësi i Qeverisë në detyrë të Kosovës, Përparim Kryeziu, ka folur për pandeminë Covid-19 në Kosovë dhe menaxhimin e situatës nga ana e qeverisë.

Deri tash, në Kosovë janë 250 raste të të infektuarve, 52 të shëruar dhe 7 të vdekur.

Kryeziu në Interaktiv të KTV-së tha se numri i të infektuarve por edhe të shëruarve në Kosovë me Covid-19 po rriten, por megjithatë, qeveria ndonëse në detyrë, po punon në vazhdimësi për ta menaxhuar këtë pandemi.

Reklama e sponzorizuar

“Po punojmë që të mos kemi numër të madh të të infektuarve. Do ta tejkalojmë këtë krizë shëndetësore”, u shpreh ai.

Ka përmendur faktin që kryeministri në detyrë Albin Kurti po viziton komunat në këtë kohë, dhe tha se gjatë të gjitha takimeve, qeveria dhe vet Kurti, janë të gatshme t’u ndihmojë të gjitha komunave që kanë nevojë.

“MSH-ja është vazhdimisht duke u ofruar komunave ndihmë. Normalisht brenda kapaciteteve që ka. Prandaj duke marrë për bazë këtë, edhe autoritetet lokale duhet t’i kryejnë përgjegjësitë e tyre”, u shpreh ai.

Sipas Kryeziut, do të ketë komuna si Malisheva, apo ato me shumicë serbe, do të mund të ndryshojnë oraret e kufizimit të lëvizjeve.

“Duke u bazuar në situatën e këtyre komunave, kemi marrë vendim të mos ketë vendime uniforme”, tha ai.

Për situatën në veri të Kosovës, Kryeziu tha se çdo vendim merret nga qeveria në kontakt me autoritetet lokale.

“Atë ditë kur u bë lajm situata për veri, ne kemi bërë thirrje të mos nxitohet e të bëhet panik, gjatë ditës dolëm me një qëndrim dhe thamë se vendimi është marrë nga qeveria në kontakt me autoritetet lokale”, tha Kryeziu.

Sa i përket vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Kryeziu tha se vendimi i radhës i MSH-së do të jetë përkitazi me atë që e thotë Kushtetuesja.

“MSH-ja do të marrë vendime respektive të bazuara në ligjet për pandeminë”, tha ai.

Sipas zëdhënësit të Qeverisë në detyrë të Kosovës, Pakoja Emergjente veçse ka filluar së zbatuari në disa pika.

“Në fund të muajit do të nis plotësisht. Pakoja Fiskale Emergjente, fillimisht u bë për shtresat më të varfra që do t’u ndihmohet më shumë. Pra shtresave më fragjile të shoqërisë sonë. Pakoja u ndihmon edhe bizneseve të prekura drejtpërdrejt. Do t’u ndihmohet edhe personave të disa sektorëve të operatorëve ekonomikë”, tha Kryeziu.

Kryeziu thotë se 179 mijë është Pakoja Emergjente, dhe kjo është gjithëpërfshirëse.

“Kjo pako s’ka qëllim politikë. Do të ketë edhe një pako tjetër të hartuar, analizuar edhe rreth zhvillimit ekonomik. Jemi të hapur për kritika, porse kritikat sa i përket kësaj Pakoje dhe menaxhimit të situatës ekonomike, në shumicën e rasteve ishin nga joprofesionistët”, u shpreh ai.

Sa i përket thirrjes së seancës së jashtëzakonshme nga ana e PDK-së, Kryeziu e quajti të drejtë por paksa të pakuptimtë, faktin që disa deputetë tentojnë të marrin rolin e qeverisë.

“Ne ende nuk e kemi të qartë kur do të përfundojë kjo pandemi. Vendimet tona duhet të jenë të matura që shpenzimet tona mos të përfundojnë në shtator, e që pandemia të zgjasë deri në dhjetor. Duhet të sigurohet një stabilitet financiar”, tha Kryeziu.