Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka konfirmuar për gjashtë raste të prekura me koronavirusin e ri në 24 orët e fundit në Kosovë, pas testimit të 191 mostrave.
“Rastet pozitive janë raste kontakti, dy (2) raste me vendbanim në Prizren, dy (2) raste me vendbanim në Mitrovicën e Veriut dhe dy (2) raste nga komuna e Pejës (sipas vendbanimit: një (1) rast Pejë dhe një (1) rast Llugaxhi”, është thënë në komunikatë.
Marrë parasysh të dhënat e fundit, në Kosovë me këtë virus janë infektuar gjithsej 604 persona, derisa 18 kanë vdekur si pasojë e tij.
Numri i përgjithshëm i të shëruarve ka arritur në 128.
Më qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi, më 15 prill në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja të qarkullimit të qytetarëve.
Bazuar në masat e vendosura nga Ministria në detyrë e Shëndetësisë, qytetarët mund të dalin nga shtëpitë e tyre vetëm për 90 minuta në ditë, me qëllim furnizimi.
Orari i daljes është i organizuar në shtatë grupe, nga ora 07:00 deri në 22:30, dhe përcaktohet nga numri i parafundit personal në letërnjoftim.
Këto masa do të vlejnë deri më 4 maj, porse do të shqyrtohen në varësi të rezultateve, jo më vonë se data 30 prill.