Ministrja e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Emilia Rexhepi dhe kryetari i Komunës së Fushë-Kosovës, Burim Berisha, kanë nënshkruar të premten një memorandum mirëkuptimi për bashkëfinancimin e projektit të zgjerimit të nënkalimit në fshatin Vragoli.
MAPL do të japë 40 mijë euro, ndërsa Komuna 20 mijë euro. Sipas zyrtarëve komunalë, me këtë projekt do të zgjidhen problemet e banorëve të fshatit Vragoli dhe Miradi e Poshtme.
“Sot u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit në mes të znj.Emilia Rexhepi, ministre e MAPL dhe z.Burim Beirsha, Kryetarit të Komunës së Fushë-Kosovës për të bashkëfinancuar projektin ‘Zgjerimi i nënkalimit, Ura në Vragoli’. Vlera e projektit është 60,000.00 € prej të cilave 40,000.00 € financohen nga MAPL dhe 20,000.00 € nga Komuna e Fushë-Kosovës”, thuhet në njoftimin e Komunës së Fushë-Kosovës. “Besojmë dhe shpresojmë përfundimisht, se me këtë projekt do të zgjidhen problemet dhe vështirësitë që kanë patur qytetarët e kësaj ane sidomos ata të Miradisë së Poshtme dhe Vragolisë. Kryetari Berisha, shtoi se realizimi i këtij projekti është në interes të të gjithë qytetarëve të Komunë së Fushë Kosovës”.