Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, e ka drejtuar gishtin nga Kina për përpjekje të vjedhjes së hulumtimeve shkencore për koronavirusin përmes sulmeve kibernetike, të cilat kohëve të fundit janë shtuar ndaj agjencive qeveritare dhe institucioneve mjekësore që po e udhëheqin luftën kundër Covid-19.
Një zyrtar që ka njohuri të drejtpërdrejta për këto sulme tha se në shënjestër të tyre kanë qenë spitalet, laboratoret hulumtuese, ofruesit e kujdesit shëndetësor dhe kompanitë farmaceutike.
Sipas tij, Departamenti i Shëndetësisë dhe i Shërbimeve Njerëzore, i cili e mbikëqyr Qendrën për Parandalimin dhe Kontrollimin e Sëmundjeve, është përfshirë nga sulme të përditshme kibernetike.
Ky zyrtar shtoi se dyshimet kryesore për autorësinë e këtyre sulmeve janë Kina dhe Rusia, duke u bazuar në madhësinë dhe qëllimin e sulmeve, shkruan “CNN”, transmeton Gazeta Express.
Departamenti i Drejtësisë ka thënë se është veçanërisht i shqetësuar për sulmet e hakerëve kinezë ndaj spitaleve dhe laboratoreve amerikane me qëllim të vjedhjes së hulumtimeve që lidhen me koronavirusin.
Spiunazhi kibernetik i Kinës kundër Shteteve të Bashkuara ka shënuar rritje që nga fillimi i përhapjes së koronavirusit. Sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo, të enjten tha: “Kërcënimi më i madh nuk është aftësia jonë për të punuar me Kinën në fushën e kibernetikës, por për t’u siguruar se i kemi burimet e gatshme për ta mbrojtur veten nga sulmet kibernetike kineze.”