Paralajmërohet mundësia e kthimit të karantinës në Prishtinë

Edhe pse në Prishtinë mbrëmë u konfirmua vetëm një rast, nënkryetari i komunës së Prishtinës, Muhedin Nushi ka thënë se nëse rritet numri i të infektuarve, masat strikte mund të rikthehen.

Në Kosovë, gjatë së dieles, 14 persona janë konfirmuar më COVID-19, duke e çuar në 884 numrin e përgjithshëm të të infektuarve. Numri prej 14 të infektuarve vjen pas një trendi pozitiv të të shëruarve gjatë ditëve të fundit, ku u shëruan 655 persona.

Nushi, në intervistë për Ekonomia Online ka thënë se Prishtina edhe mund të futet në karantinë, por edhe mund të kthehet “ora policore”.

Reklama e sponzorizuar

“Duhet të respektohen këto rekomandime që mos të kthehemi në pikën zero, se prapë do të kemi karantinë, izolime dhe mbikëqyrje të policisë. Andaj nuk kemi nevojë se deri me tani është respektuar mirë. Komuna do të insistojë në rast se do të ketë rritje të numrit të të infektuarve, që të vendosë prapë masat e karantinës sikurse edhe mbikëqyrja 24 orë e policisë. Nuk dëshirojmë që qytetarët të jenë më tepër të infektuar”, ka thënë Nushi.

Nushi potencoi se një pjesë e madhe e qytetarëve nuk po respektojnë rekomandimet e IKShP-së, andaj bëri thirrje që të respektohen këto këshilla që mos të këtë rritje të numrit të të infektuarve.

Ai theksoi se lufta ndaj COVID-19 vazhdon.

“Një pjesë e madhe e qytetarëve nuk janë duke respektuar masat, distancimin e as obligimin për mbajtjen e dorezave dhe maskave dhe kjo sjell deri të rastet e reja siç ndodhi tashmë, mund të presim edhe në ditët në vijim që të kemi raste të koronavirusit”, ka thënë Nushi.

“Rastet nuk do të përfundojnë as me datën dy qershor, kjo luftë do të vazhdojë deri në fund të vitit. Nuk kemi asnjë rast në gjendje të rëndë, të gjitha janë në vetizolim në shtëpitë e tyre”, tha ai.

Nënkryetari i Prishtinës ka treguar edhe për gjendjen në tërësi në Prishtinë, kur është në pyetje pandemia.

Ne aktualisht deri me tani i kemi 73 të infektuar në tërë territorin e Prishtinës, nga ata 63 janë të shëruar tërësisht, dy raste me fatalitet dhe 8 raste janë aktive. Nga këto 8 raste, vetëm pesë raste i kemi këto tri ditët e fundit, katër raste nga këto vijnë nga klinika private ‘Sirona’, kurse rasti i mbrëmshëm vjen nga Klinika Gjinekologjike në QKUK”, ka thënë ai.

“Nuk kemi nevojë me krijuar panik, këto raste priten, pasi që nga data 4 maj kur kanë hyrë në fuqi masat lehtësuese për të gjithë qytetarët ka një lëvizje të jashtëzakonshme të qytetarëve dhe veturave të cilët dalin pa nevojë. Apeli ynë është që të dalin me dorëza e maska, dhe të mbajnë distancën. Mbrëmë i kemi dhënë urdhër që për të gjitha rastet për 58 e testimeve që të jenë në lëvizje dhe të kontrollojnë shtëpitë e tyre që mos të shkaktojnë infektim më të madh”, u shpreh Nushi.

Kryeqyteti ka dalë nga karantina me 4 maj, gati një muaj pasi ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia ka marrë vendim për shpalljen e Prishtinës si zonë karantine, duke ndaluar hyrjet dhe daljet.