Nis hapja e paligjshme e restoranteve dhe kafeneve

Hapja e restoranteve e kafeneve është paraparë të nisë në fazën e dytë të lehtësimit të masave, ndërsa hapja e tërësishme në fazën e tretë, dhe atë, veç në rast se përmirësohet situata pandemike dhe nuk ka rritje enorme të rasteve me koronavirusin Covid-19.

Por megjithatë, në shumë qytete të Kosovë ato kanë nisur të hapen. Kësisoj, policia ka ndaluar disa persona, raporton KOHA.

Hapjet e lokaleve kanë ndodhur në qytete të ndryshme, si në Prishtinë, Dragash, Vushtrri e Skenderaj, raporton KOHA.

Reklama e sponzorizuar

“Dy persona janë arrestuar për arsye se të njëjtit kishin hapur restorantin në kundërshtim me vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë. Të dyshuarit pas inicimit të rastit me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e PK-së për një rast në Prishtinë.

Një tjetër ka ndodhur në rrugën “B”, po ashtu në Prishtinë.

“Është arrestuar një person për arsye se i njëjti kishte hapur restorantin në kundërshtim me vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë. I dyshuari pas inicimit të rastit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”, thotë policia.

Rasti tjetër, në kryeqytet, ka ndodhur në rrugën “Ali Vitia”.

“Një mashkull kosovar është arrestuar për arsye se i njëjti kishte hapur restorantin në kundërshtim me vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë. I dyshuari pas inicimit të rastit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raport, derisa PK-ja njofton edhe për një tjetër rast në po të njëjtën rrugë.

“Një tjetër person është arrestuar për arsye se i njëjti kishte hapur restorantin në kundërshtim me vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë. I dyshuari pas inicimit të rastit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”, thotë PK-ja.

Edhe në Dragash, është arrestuar një burrë për arsye se kishte hapur restorantin në kundërshtim me vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë. I dyshuari pas inicimit të rastit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt

Në fshatin Stanofc i Ulët, Vushtrri, është arrestuar një grua e cila nga njësiti policor është hasur brenda në një lokal duke punuar dhe duke shërbyer pije.

“E dyshuara nuk ka respektuar vendimin e qeverisë, ndaj të cilës është iniciuar lënda e rastit dhe e njëjta pas intervistimit me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”, thotë policia.

E në rrugën “Ali Gashi”, Skenderaj, policia gjatë patrullimit ka vërejtur se një kafiteri ishte e hapur në kundërshtim me vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

“Në konsultim me prokurorin kujdestar ndaj pronarit është iniciuar rasti”, thuhet në raport.

Derisa, për një tjetër rast në po të njëjtën rrugë policia thotë se gjatë patrullimit ka vërejtur se një restorant në një pompë të derivateve ka punuar, në kundërshtim me vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

“Në konsultim me prokurorin kujdestar ndaj pronarit është iniciuar rasti”, thotë policia.

Një tjetër rast po ashtu u raportua në Skenderaj.

“Policia gjatë patrullimit ka vërejtur se një restorant në një pompë të derivateve ka qenë i hapur, në kundërshtim me vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë. Në konsultim me prokurorin kujdestar ndaj pronarit është iniciuar rasti”, njofton PK-ja përmes raportit të vet 24 orësh.

Ministria e Shëndetësisë, sipas rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, pati marrë vendim që Gastronomitë (take away-merre me vete), të nisin në fazën e dytë prej 18 majit.

Ndërkaq hapja e tyre në përgjithësi, të nisë në fazën e tretë që i bie më 1 qershor.

Image