Tesla do të rihapë fabrikën në Kaliforni pa leje

Elon Musk

Shefi ekzekutiv i kompanisë Tesla, Elon Musk, tha se do të rinisë prodhimin e makinave elektrike në fabrikën e tij në Kaliforni, përkundër urdhrit për të qëndruar mbyllur, për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Përmes një postimi në Twitter, Musk tha se është i gatshëm të arrestohet.

“Nëse dikush arrestohet, kërkoj që ai të jem unë”, tha Musk.

Reklama e sponzorizuar

Musk gjithashtu tha se situata është bërë rrëmujë, pasi zyrtarët e shtetit e kanë miratuar rihapjen e fabrikës, por më pas ajo është bllokuar nga autoritetet lokale.

Ai tha se ndjen se Tesla po “veçohet”, pasi prodhuesit e tjerë të makinave në Shtetet e Bashkuara janë lejuar të rihapen.

Qarku Alameda, ku ndodhet fabrika e tij, ka vendosur që t’i mbajë mbyllur bizneset – përveç atyre që konsiderohen thelbësore – deri në fund të majit.

Autoritetet e qarkut kanë thënë se nuk e konsiderojnë Tesla-n biznes thelbësor.