Ndalohen 20 persona që nuk respektuan masat gjatë pandemisë

Policia e Kosovës ka vazhduar të marrë masa ndaj personave të cilët nuk i kanë respektuar masat e ndalimit gjatë kohës së pandemisë.

Siç bëhet e ditur nga raporti 24-orësh, të premten janë ndaluar 20 persona në nëntë raste të ndryshme.

Reklama e sponzorizuar

Vetëm në Pejë, Policia ka ndaluar 11 persona pasi janë gjetur në një lokal, përkundër ndalesës së Qeverisë për punë të kafe-bareve dhe restoranteve. Në Mitrovicën e Jugut janë ndaluar tre persona në tri raste të ndryshme. Në Gjilan Policia ka ndaluar dy persona në një rast, ndërkaq në Prishtinë, Gjakovë e Ferizaj janë ndaluar nga një person në nga një rast.

Nga e hëna do të nis faza e dytë e lehtësimit të masave. Sipas njoftimit nga ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, orari i qarkullimit do të zgjatet deri në 4 orë në ditë.

Gjithashtu është planifikuar edhe hapja e disa sektorëve.

Nga e hëna do të rihapen këto biznese: floktarët dhe sallonet e ondulimit, stomatologët dhe fizioterapeutët, tregtarët me pakicë dhe tregu i gjelbër, gastronomia, pra varianti ‘merre me vete’, transporti hekurudhor, transporti urban dhe ndërurban me leje të veçanta, qendrat e thirrjeve telefonike me lista të stafit esencial, si dhe galeritë dhe muzetë.