Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë ditës së sotme e ka quajtur përsëri kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, “uzurpator të paligjshëm”.
“Nuk kam çka t’i shtoj më tepër asaj që kam deklaruar edhe dje. Z. Kurti në periudhën e tij të qëndrimit si kryeministër derisa e shkarkuan gjatë atyre 45 ditëve ka bërë edhe dy shkelje të rënda kushtetuese. Nuk mundem ndryshe me quajt pos uzurpator dhe paligjshëm duke ndejt”, u shpreh Thaçi, raporton KOHA.
Presidenti Thaçi edhe dje ka deklaruar se Albin Kurti ka uzurpuar zyrën e kryeministrit edhe pas dy shkeljeve të rënda kushtetuese dhe po sillet si njeri i paligjshëm në skenën politike kosovare.
Ndërkaq, sot gjatë ditës, Albin Kurti, duke mos dashur t’i komentoj deklaratat e Thaçit ndaj tij, tha se “Thaçi i përshkruan dëshirat e tij si fakte të Kurtit”.
“Çfarë ka thënë presidenti për mua, mua më duket se dëshirat e tij i përshkruan si fakte të mia. Unë jam kryeministër në detyrë s’bëhet fjalë për përshkrime që më ka bërë ai”, u shpreh ai.