Albian Gagica, pronar i kompanisë “INIT”, kompani që ka krijuar dizajnin e emblemës së FSK-së, ka thënë se ky dizajn është tërësisht origjinal dhe nuk është vjedhur nga një kompani private e sigurisë në Amerikë.
Pas publikimit të fotografive që tregonin se FSK-ja edhe kompania amerikane kishin dizajn të njëjtë të logos, Gagica ka thënë se “nëse dikush e ka ‘vjedh’ logon, është kompania e sigurisë”.
Emblema e FSK-së, identike me të një kompanie private të sigurisë amerikane, kush kujt ia mori
“Një sqarim i vogël për hatër të profesionalizmit dhe njerëzillëkut. Simbolet e FSK-së janë punuar në vitin 2009 dhe janë origjinale. Një ekip profesionist e kreativ ka shpenzuar kohë e energji në krijimin e tyre para dhjetë vjetëve. I kemi punuar me skica, një nga një. Nëse dikush ka kopjuar e ‘vjedh’, ajo është kompania e sigurisë me të cilën po mundohem të kontaktoj. Në Amerikë ka ligje që i mbrojnë të drejtat autoriale edhe janë kundër plagjiaturës. Ju kisha lut të mos spekuloni e akuzoni pa kurrfarë provash e me tendenca negative”, ka shkruar Gagica në një reagim në Facebook.
Edhe dizajneri i emblemës, Taulant Qerkini, ka thënë për KTV-në se ky dizajn është tërësisht origjinal dhe nuk është vjedhur nga një kompani private e sigurisë në Amerikë.