Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë mirëpret krijimin e Qeverisë së re të Kosovës në një kohë kur vendi ka nevojë për avancimin e agjendës së reformave biznesore.
Përballja me pasojat e pandemisë COVID19 në ekonomi si dhe një proces dinamik legjislativ duhet të jenë në maje të prioriteteve të Qeverisë së re të Republikës së Kosovës, thuhet në një komunikatë për media.
Aprovimi i një pakoje gjithëpërfshirëse të rimëkëmbjes ekonomike, e cila duhet të jetë produkt i një procesi të dialogimit me të gjithë hisedarët e rëndësishëm në Kosovë duhet të jetë i një rëndësie të jashtëzakonshme.
Pakoja duhet të ofrojë mbulesë proporcionale të dëmeve që janë shkaktuar në të gjithë sektorët pas shpërthimit të pandemisë COVID19, por në të njëjtën kohë të shërbejë edhe si kornizë për ristrukturimin e gjithëmbarshëm të ekonomisë së vendit, thuhet më tej në komunikatë.
Oda Amerikane përsërit qëndrimet e saj të mëhershme se programi i Qeverisë së re duhet të zgjidhë çështjet që lidhen me kapitalin njerëzor, funksionalizimin e shtetit të së drejtës, largimin e barrierave në lëvizjen e lirë të mallrave dhe reformimin e mjedisit të të bërit biznes, i cili do të ishte nxitës për investimet e jashtme dhe të brendshme, transmeton kp.
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë beson se vetëm përmes bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet të gjithë hisedarëve politikë e jopolitikë, Kosova mund të përmbushë synimet drejt një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik dhe ofrimit të një perspektive premtuese për qytetarët e saj.