Për dallim nga kryeministrat e kaluar, kryeministri i ri i Kosovës, Avdullah Hoti, e nisi ditën e parë të punës, pa pranim-dorëzim të detyrës.
Albin Kurti refuzoi që të merrte pjesë në ceremoninë e dorëzimi të detyrës, me arsyetimin e se nuk mund t’ia dorëzonte detyrën dikujt që e kishte shkarkuar paraprakisht.
Por pavarësisht refuzimit të Kurtit një ceremoni zyrtare u organizua për kryeministrin e ri, Avdullah Hoti që udhëhoqi mbledhjen e parë të qeverisë së tij.
Në fjalimin e shkurtër para kabinetit qeveritar, kryeministri Hoti, e nisi punën me premtime për rimëkëmbje të suksesshme ekonomike pas pandemisë së koronavirusit të ri.
“Duhet të adresojmë menjëherë sfidat, duke filluar nga pandemia, nga çështjet e rimëkëmbjes ekonomike ku kemi një program siç e kam prezantuar në ekspoze dhe do ta miratojmë se shpejti në program qeverisës këtu në qeveri. Një program shumë voluminoz, të pasur, me detaje të rimëkëmbjes ekonomike për t’ju mundësuar bizneseve, familjeve dhe qytetarëve të vendit që sa më lehtë të tejkalojnë këtë krizë të paprecedentë ndonjëherë në historinë e re të Kosovës dhe të mbarë botës”, deklaroi Hoti.
Hoti ka thënë se qeveria e drejtuar nga ai do të ketë prioritet edhe forcimin e shtetit ligjor, fuqizimin e miqësive me partnerët ndërkombëtarë dhe marrja përsipër në baza kushtetuese të procesit të dialogut me Serbinë.
Vetëvendosje do t’i drejtohet gjykatës për votimin e qeverisë
Për në ditën e parë të punës së qeverisë Hoti, përveç kundërshtimit politik, Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar hapa ligjore për mënyrën e votimit të qeverisë të Kuvend.
Deputeti Librun Aliu, ka përmendur votat e deputetëve Etem Arifi dhe Haxhi Shala që ishte vendimtare për formimin e qeverisë Hoti.
“Akrobaci politike ishte vota e deputetit Etem Arifi, deputeti që është i dënuar nga gjykata me vendim të plotfuqishëm dhe që nuk kishte të drejtë të votonte e as të ishte deputet. Këtë e përcakton qartë Kushtetuta. Ishte votë përcaktuese sepse ishin vetëm 61 vota, prandaj ne patjetër do të marrim hapa për shqyrtim në Gjykatë. Po ashtu do të marrim hapa për shqyrtim në gjykatë edhe për votën e komprometuar të deputetit Haxhi Shala i cili iu tregoj të gjithëve se Presidenti i Republikës sonë po bredhka odë më odë që t’i bëjë votat e dekretit të vet antikushtetues”, deklaroi Aliu.
Në seancën në të cilën u votua qeveria Hoti, vota e deputetit Haxhi Shala ishte vendimtare. Pak minuta para votimit të qeverisë, deputeti Shala bëri të ditur se po votonte për qeverinë vetëm pasi këtë gjë ia kishin kërkuar presidenti i vendit Hashim Thaçi dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Të zymtë e kanë cilësuar nisjen e punës së qeverisë Hoti, analistët politikë.
Njohësi i zhvillimeve politike, Imer Mushkolaj, thotë se nisja e punës së qeverisë së re pa pranim-dorëzim të detyrës ka ndodhur për shkak se Avdullah Hoti ishte protagonist kryesor në mosmarrëveshjet mes Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Mënyra se si kryeministri i ri, Hoti, e ka nisur detyrën e re është rezultat i mënyrës së si është arritur të krijohet ky koalicion qeveritar. Është pamje jo e mirë kur e sheh një kryeministër i cili e nisë detyrën duke mos e pranuar atë nga paraardhësi i tij dhe kur në fakt gjithë kjo e krijon njëfarë atmosfere thuajse zotëri Hoti është kryeministër i zorit”, thotë Mushkolaj.
Mushkolaj thotë se qeveria Hoti do të përballet me probleme të shumta pasi ka ardhur në pushtet në një kohë të problemeve të mëdha ekonomike dhe politike.
Sfida kryesore për qeverinë Hoti sipas Mushkolajt do të jetë heqja e barrierave për rifillimin e dialogut me Serbinë dhe arritja e një marrëveshje përfundimtare, gjë që dështuan ta bënin qeveritë e kaluara.
Sa i takon dialogut me mes Kosovës dhe Serbisë, Bashkimi Evropian dëshiron që sa më parë të rifillojë ky proces.
Sipas zyrtarëve të BE-së, qëllimi i rifillimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është përfundimi sa më i shpejtë i këtij procesi përmes një marrëveshje gjithëpërfshirëse.
Këtë e ka thënë të enjten një zyrtar i lartë i BE-së duke thënë se BE-ja poashtu pret që Qeveria e Kosovës e kryesuar nga Avdullah Hoti të emërojë një kryenegociator për dialog dhe një ekip të Kosovës për këtë.
Në BE pohojnë se u takon kosovarëve të vendosin se kush do t’i përfaqësojë e poashtu edhe BE-ja vendos se kush do ta përfaqësojë atë.
Dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit u pezullua që nga koha kur ish-qeveria e drejtuar nga Ramush Haradinaj vendosi tarifë 100 për qind për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.
Qeveria pasuese e drejtuar nga Albin Kurti, refuzoi heqjen e tarifave dhe e zëvendësoi atë me reciprocitet.