Odat ekonomike thonë se eliminimi i barrierave me shtetet e Ballkanit ndikon në zhvillimin ekonomik

Oda Ekonomike e Kosovës dhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë në një deklaratë të përbashkët kanë thënë se kanë konfirmuar gatishmërinë e tyre për partneritet konstruktiv me Qeverinë e Republikës së Kosovës, duke potencuar se adresimi i pasojave shëndetësore por edhe ekonomike pas shpërthimit të pandemisë COVID-19 duhet të jenë në mesin e prioriteteve kryesore.

Dy odat ekonomike theksojnë se heqja e barrierave në tregti, fuqizimi i dialogut përmes mekanizmave ekzistuese dhe mbi të gjitha aprovimi i një pakoje të rimëkëmbjes duhet të zënë vendin kryesorë në agjendën e punës së Qeverisë së re.

“Në këtë aspekt, Oda Ekonomike e Kosovës dhe Oda Amerikane mirëpresin vendimin e sotëm të Qeverisë së Kosovës për shfuqizimin e barrierave tregtare, një hap i cili do të mundësonte bashkëpunim më të madh ekonomik rajonal por edhe raporte më të mira ndërfqinjësore. Eliminimi i barrierave tarifore e jotarifore si dhe avancimi i lëvizjes së mallrave dhe shërbimeve, njerëzve dhe kapitalit ndërmjet shteteve të Ballkanit, do të rrisnin prospektet për tërheqje të investimeve të huaja direkte dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik”, thuhet në njoftim.

Reklama e sponzorizuar

Më tej, dy odat ekonomike thonë se “shprehin besimin e fuqishëm se Kosova ka nevojë për një Pakt Kombëtar të Zhvillimit Ekonomik, i cili përveç ndërtimit të kornizës së rimëkëmbjes ekonomike do të ndihmonte edhe në adresimin e çështjeve të cilat kanë pamundësuar zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Kosovës, duke fokusuar në këtë mënyrë mbështetjen në sektorin e prodhimit, e posaçërisht në ndërmarrjet me potencial të eksportit, por edhe në sektorin e shërbimeve me fokus në ndërmarrjet e teknologjisë së informacionit”.

“Në këtë aspekt është i pashmangshëm edhe intervenimi i strukturuar në sektorin e arsimit akademik dhe profesional me qëllim të adresimit më të madh të kërkesave në tregun e punës, me vëmendje në tiparet dhe sjelljet e gjeneratave të reja, por edhe nevojat e tregut të punës, si dhe prioritetet e Paktit Kombëtar të Transformimit Ekonomik”, thuhet tutje në njoftim.

Modeli i ri ekonomik, sipas tyre, do të nënkuptojë që sektorët me potencial konkurrues dhe shërbimet përcjellëse për këta sektorë, duhet të kalojnë në një proces holistik të transformimit digjital.