Izolimi në Evropë ka ruajtur miliona jetë njerëzish

Masat e izolimit kanë ndikuar në ruajtjen e jetës të më shumë se tre milionë personave në Evropë, ka gjetur një studim.

Një ekip në Kolegjin Imperial të Londrës, ka thënë se “numri i të vdekurve do të mund të kishte qenë shumë më i madh” pa izolim.

Mirëpo ata kanë paralajmëruar se vetëm një pjesë e vogël e personave janë infektuar dhe se tani jemi në “fillim të pandemisë”.

Reklama e sponzorizuar

Studimi i Kolegjit Imperial ka analizuar ndikimin e izolimit në 11 shtete evropiane – Austri, Belgjikë, Danimarkë, Francë, Gjermani, Itali, Norvegji, Spanjë, Suedi, Zvicër dhe Mbretëri e Bashkuar – deri në fillim të muajit maj.

Deri në atë kohë, rreth 130,000 persona kanë vdekur nga koronavirusi në këto shtete.

Këta hulumtues kanë përdorur modelin e sëmundjeve për të parashikuar sa vdekje do të mund të regjistroheshin nëse izolimi nuk do të ndodhte.

Ky është ekipi i njëjtë, puna e të cilit ka shtyrë autoritetet britanike për të zbatuar masat e izolimit, me qëllim të frenimit të përhapjes së koronavirusit.

Ekipi ka vlerësuar se 3.2 milionë persona do të vdisnin deri më 4 maj, nëse nuk do të zbatoheshin masat e mbylljes së bizneseve dhe thirrjet drejt banorëve për të qëndruar nëpër shtëpitë e tyre.

Kjo nënkupton së izolimi ka ruajtur rreth 3.1 milionë jetë njerëzish, duke përfshirë 470,000 në Mbretërinë e Bashkuar, 690,000 në Francë dhe 630,000 në Itali, është thënë në raportin e publikuar në revistën kërkimore, Nature.

“Izolimi ka shmangur miliona vdekje, këto vdekje do të përbënin tragjedi”, ka thënë mjeku Seth Flaxman nga Kolegji Imperial.