Kryeministri Avdullah Hoti ka thënë se dialogu nuk ndalet dhe se nuk ka alternativë.
Ai në një deklaratë për media, pas takimit me David McAllister, kryesues i Komitetit për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian, tha se ka kërkuar nga ambasadori Richard Grenell që të shtyjë takimin e 27 qershorit në Washnigton, Kosovë – Serbi.
“Dialogu nuk ka alternativë. Ne tani kemi autoritetin e nevojshëm institucional si shtet për të tejkaluar çdo situatë me të cilën përballemi. Unë në konsultim me ambasadorin Grenell kam kërkuar që ta shtyjmë këtë takim për një ditë tjetër për shkak të zhvillimeve që kanë ndodhur. Çështjet që lidhen me drejtësinë, siç ishte vendimi i djeshëm, unë besoj që nuk duhet të diskutohen por të respektohen. Unë besoj së tanimë si Kosovë kemi maturi insitucionale për t’i tejkaluar këto çështje”, tha Hoti.
Hoti nga Brukseli: Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim të vizave
Kryeministri Avdullah Hoti ka vlerësuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për të marrë liberalizimin e vizave nga Bashkimi Evropian.
Ai pas takimit me David McAllister, kryesues i Komitetit për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian, tha për mediat se çështja e vizave do të jetë temë kyç në takimet që do të ketë sot gjatë ditës në Bruksel
“Në këto takime jemi për të treguar përkushtimin tonë për agjendën e integrimit evropian që ka vendi. Sigurisht që në takimin që kishim në mëngjes, por edhe në takimet e tjera është çështja e liberalizimit të vizave. Ne kemi plotësuar te gjitha kriteret”, tha Hoti.
Ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj – Stublla, po ashtu është pjesë e delegacionit në Bruksel. Citohet të ketë thënë se procesi i tejzgjatur dhe i vonuar i liberalizimit të vizave për Kosovën ka dëmtuar kredibilitetin e BE-së.