Ibrahim Tërshnjaku, kryeinspektor sanitar, në Interaktiv të KTV-së ka thënë se me rastin e mosrespektimit të masave gjoba për persona fizikë është deri në 500 euro kurse për personat juridikë deri në 1000 euro.
Ai ka bërë të ditur se Inspektorati Sanitar i Kosovës ka dhënë një urdhër për të gjithë inspektorët që të inspektohen subjektet afariste hoteliere, me theks të veçantë pabet e ndryshme aty ku grumbullohen të rinjtë, qendrat tregtare, parqet e shëtitoret.
“Jemi zotuar që këto masa subjektet afariste hoteliere të respektojnë plotësisht, dhe mosrespektimi i këtyre masave do të shqiptohen gjoba. Në shumicën e rasteve ato janë duke e respektuar hapësirën brenda objekteve. Ata brenda po i respektojnë dhe në disa hapësira të jashtme kanë vendosur panele. Për çdo ditë vet subjektet po gjejnë mënyra për të parandaluar COVID-19”, ka thënë Tërshnjaku.
Tërshnjaku ka shtuar se të gjithë akterët i lusim që të respektojnë manualin dhe tri kriteret: mbajtjen e maskës, ruajtjen e distancës dhe mbajtjen e nivelit të higjienës.
“Përveç në subjekte afariste do të inspektojmë edhe autobusët, taxitë e të tjera. Çdo person që e thyen atë urdhër bën një vepër penale, prandaj po i lusim qytetarët që të respektojnë masat. Ne jemi duke menaxhuar edhe situatën e personave që ndërrojnë jetë nga COVID-19, që është një situatë jashtëzakonisht sensitive për familjarët. Në këtë drejtim përçoj mesazhin se të gjithë jemi luftëtarë në betejën e COVID-19”, ka thënë ai.
Tutje ai ka thënë se presin që të kenë edhe 20 inspektorë të rinj.
“Nga kërkesa që kemi bërë presim që do të kemi edhe 20 inspektorë të rinj që do të na mbështesin. Nga informatat që marrim ne së bashku me Policinë do të zbatojë ligjin në tërësi. Duke parë kapacitetet e vogla, por edhe angazhimin, nuk duhet të presim se do të bëjmë numrin më të madh, por duhet të sigurohemi se do të rrisim numrin e aktiviteteve besojmë se po me këtë numër do ia dalim në këtë betejë. Nga mbrëmë kemi filluar inspektimin, besoj se në fund të javës do të mbledhim një raport dhe do të publikojë, dhe në mosrespektimin e atyre urdhrave do të marrin gjobën e merituar”, ka thënë Tërshnjaku.
Ai ka treguar se për mosrespektim të masave mund të ketë edhe kallëzime penale.
“Në bazë të ligjit për kundërvajtje gjoba për persona fizik është deri në 500 euro dhe për personat juridik deri në 1000 euro, kjo është masa e gjobës në vend. Ndërsa për shkelje të tjera dhe mosrespektim të vendimeve të Inspektorit atëherë është vepra penale, e cila duhet të shkojë me kërkesë për kallëzim penal te prokurori”, ka thënë ai.
Tërshnjaku gjithashtu ka komentuar edhe deklaratën e kryeministrit, Avdullah Hoti, i cili kishte deklaruar se është vepër penale mosmbajtja e maskave, për çka ka marrë kritika të shumta.
Por, Tërshnjaku, ka shpjeguar se kjo vlen vetëm për personat që janë të infektuar me COVID-19 dhe dalin jashtë pamaskë.
“Një person që është i sëmurë me COVID-19 dhe nuk ka vendosur maskë dhe ka dalë në qytet është vepër penale”, ka deklaruar Tërshnjaku.