Presidentin francez e kancelarja gjermane kanë rinisur angazhimin e tyre në dialogun Kosovë – Serbi. Këtë javë janë caktuar disa takime në Paris e në Bruksel mes Avdullah Hotit nga pala kosovare dhe Aleksander Vuciqit nga pala serbe.
Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, më 10 korrik do të drejtojnë samitin virtual, në të cilën do të ndërmjetësojnë mes Kosovës dhe Serbisë.
Pjësë e këtij samiti që është planifikuar të mbahet përmes një video konference do të jetë edhe Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Joseph Borrell.
Pala franceze njofton se kryeministri Avdullah Hoti dhe presidenti serb Aleksandër Vuciq, para samitit të Parisit dhe para takimit të dielën në Bruksel, do të zhvillojnë sot (e marte) dhe nesër takime të ndara me Macronin në Francë.
Pas samitit të Parisit, Hoti e Vuciq, do të vazhdojnë bisedimet në Brukel, të dielën më 12 korrik. Takimin do ta ndërmjetësojë Miroslav Lajcak, i emëruar special i BE’së për dialogun Kosovë – Serbi.
Shtytja e fundit për të vazhduar bisedimet është bërë nga zyra e Macronit, pasi ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaci, nga prokurorët e Hagës u dorëzua aktakuza për krime lufte, shkruan Euroactiv.
Thaci, që viteve të fundit ka përfaqësuar Kosovën në bisedimet me Serbinë, u kthye në gjysmë të rrugës, kur po shkonte në bisedimet që ishin thirrur në Washington, pasi u bë publik njoftimi se ndaj tij është dorëzuar aktakuzë.