Një lajm i mirë për bizneset kosovare vjen nga Bashkimi Evropian

Me datë 09 Korrik 2020 në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian L 220/5, është publikuar vendimi për përfshirjen e Kosovës në listën e vendeve të treta me të drejtë eksporti për produktet ushqimore me origjinë shtazore në vendet e Bashkimit Evropian.

Kjo është hera e parë që Kosova e fiton këtë të drejtë.
Duke marrë parasysh Traktatin për Funksionimin e Bashkimit Evropian, Direktivën e Këshillit 2002/99/EC të 16 dhjetorit 2002 që përcakton rregullat e shëndetit të kafshëve që rregullojnë prodhimin, përpunimin, shpërndarjen dhe prezantimin e produkteve me origjinë shtazore për konsum njerëzor për import të dërgesave në BE bazuar në Vendimin 2007/777/EC, Komisioni Evropian përcakton listën e vendeve të treta nga të cilat është e lejuar hyrja e mallrave në BE.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka njoftuar se i është nënshtruar disa kontrolleve të përcaktuara nga BE-ja, për të marrë të drejtën e eksportit.

MTI/Departamenti i Tregtisë në vazhdimësi ka ngritur këtë çështje në takime të ndryshme me zyrtarët e Bashkimit Evropian në Prishtinë dhe Bruksel, me të vetmin qëllim që të ju ndihmohet prodhuesve dhe eksportuesve kosovarë plasimi i produkteve të tyre me origjinë shtazore në tregun e BE-së. /Buletini Ekonomik/

Reklama e sponzorizuar