Pas 20 muajsh, Kosova do të rikthehet në tavolinën e bisedimeve me Serbinë. E në mungesë të një delegacioni gjithëpërfshirës për dialogun, në takimin e së enjtes vendi do të përfaqësohet nga anëtarët e kabinetit qeveritar, në krye me Avdullah Hotin.
Nga bisedimet në Bruksel, Qeveria synon të “shtyjë përpara procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve”.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, në këtë takim, do të jetë i shoqëruar nga anëtarë të kabinetit qeveritar dhe bashkëpunëtorë të tij, do të jetë, pra, një ekip shtetëror që e përfaqëson Republikën e Kosovës në Bruksel”, është thënë nga Zyra e Kryeministrit.
Agjenda, formati dhe temat e diskutimit rëndom caktohen nga nikoqiri, në këtë rast Bashkimi Evropian, si ndërmjetësues. Megjithatë, delegacioni i Kosovës në Bruksel shkon me platformë dhe kërkesa të qarta. Kosova synon ta përshpejtojë procesin e integrimit euroatlantik, ndaj, edhe në këtë takim do të theksohet domosdoja e arritjes së marrëveshjes Kosovë-Serbi, por brenda një afati të qartë kohor, sepse përvoja na tregon që zvarritja e dialogut nuk i sjell asnjë të mirë rajonit. Në këtë takim, po edhe në takimet e tjera eventuale që mund të ketë më vonë, Kosova do të kërkojë ndriçimin e fatit të personave të zhdukur dhe viktimave të tjera të dhunës, gjykimin dhe dënimin e autorëve të mijëra vrasjeve të civilëve në Kosovë, dëmet e luftës etj. Nuk mund të ketë normalizim pa e vënë drejtësinë në vend. Nga ky takim presim ta shtyjmë përpara procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve, me qëllim që të arrijmë një marrëveshje të përhershme, e cila do të sigurojë paqe të qëndrueshme dhe perspektivë evropiane për të dyja shtetet, që si rezultat final, duhet të rezultojë me njohje reciproke dhe me anëtarësimin e plotë të Republikës së Kosovën në institucionet ndërkombëtare”, thuhet në përgjigjen e kabinetit të kryeministrit.
Mungesën e unitetit në Kosovë rreth dialogut, e ka kritikuar analisti gjerman, Bodo Weber.
“Serbia ka tentuar që të minimizojë shtetësinë e Kosovës si vend i pavarur përgjatë këtyre tre vjetëve të fundit dhe kur e shihni performancën e politikanëve në Kosovë kjo ishte shumë rrethanë vështirësuese. Mendoj se politikanët në Kosovë do të duhej të mendonin mirë se çfarë duhet arritur. Kosova ka nevojë për unitet që garanton që çfarëdo marrëveshje të mos dështojë sepse nuk do të fitonte 2/3 që të miratohej në Kuvend. Politikanët duhet të bashkohen në Kosovë për interes të vendit dhe paqes në rajon”.
Sipas Weberit, në tavolinën me Serbinë do të duhej të diskutoheshin edhe çështjet, si integrimi i serbëve, e fati i personave të zhdukur.
“Serbia duhet pranuar realitetin që Kosova nuk është pjesë e saj dhe nëse do të arrijë integrimet evropiane duhet të punojë për këtë, andaj pikërisht për këtë statusi i Kosovës nuk mund të jetë pjesë e negocimit. Edhe një çështje që duhet biseduar është integrimi i serbëve në shoqërinë kosovare. Por, lista do të duhej të vazhdonte me çështjet e personave të zhdukur, me kthimin e pronës dhe refugjatëve në Kosovë”, ka thënë ai.
Takimit të së enjtes, Bashkimi Evropian i ka paraprirë me një video konferencë ku kanë marrë pjesë kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Pas tij, përfaqësuesi i BE-së në procesin e bisedimeve, ka deklaruar se “dialogu Kosovë-Serbi është kthyer në binarë”.
Dialogu Kosovë-Serbi është ndërprerë në fund të vitit 2018, pas vendosjes së taksës ndaj produkteve serbe dhe boshnjake, nga qeveria e udhëhequr nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj.