Kryetari i Sindikatës së Telekomit, Lamih Balaj, ka thënë se përmbarimi ka shkuar me shpejtësi të dritës.
Sipas tij nuk ka ndodhur asnjëherë në Kosovë që kaq shpejtë të dorëzohet në Gjykatë një lëndë dhe një gjyqtare t’i japë të drejtë kompanisë për 25 milionë.
Ai thotë se brenda dy javëve ka përfunduar gjithçka.
Balaj ka kërkuar nga Prokuroria të hetojë rastin derisa ka thënë se Qeveria duhet të shikojë pse Telekomi po shkatërrohet qëllimisht.
“3500 punëtorë të Postës dhe Telekomit nga sonte janë të papunë. Ata janë të rrezikuar edhe nga bankat sepse mbi 30 për qind të punëtorëve janë në kredi. Bllokimi i llogarive nuk është vetëm mosmarrja e pagave, por në këtë gjendje që jemi për ato 26 milionë që ishin, diku rreth 7 muaj me të hyrat që janë në Telekom, janë të bllokuara xhirollogaritë”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se kanë kërkuar nga Gjykata që të vë masë të sigurisë ndaj ekzekutimit të vendimit, porse nuk kanë marrë asnjëherë përgjigje.
“Kemi kërkuar nga gjykata të vë një masë të sigurisë ndaj ekzekutimit të vendimit dhe të mos lejojë që një kompani me 3.500 punëtorë të falimentojë”, ka thënë ai.
Balaj: Hoti e luti Devollin të zhbllokojë llogaritë deri më 1 tetor, por nuk pranoi
Kryesindikalisti i PTK-së, Lamih Balaj, ka treguar se gjatë takimit të sotëm të kryeministrit Avdullah Hoti me pronarin e Z Mobile, Blerim Devolli, është tentuar që të zhbllokohen xhirollogaritë e Telekomit.
Sipas Balajt, Hoti e ka lutur Devollin që deri më 1 tetor të zhbllokojë xhirollogaritë, duke u futur vetë si garanci, por nuk është pranuar.
“Në një formë e ka lutur pronarin e Z Mobile që më 1 tetor te zhbllokohen llogaritë. Kryeministri dhe ministri kanë qenë garantues. Ata kanë garantuar se deri më 1 tetor do të gjendet një formë që të kthehet ai borxh. Por ata nuk kanë pranuar”, ka thënë Balaj.
Ai ngul këmbë se Qeveria duhet të merret me këtë telashe, pasi si pasojë e vendimeve të saj, ka ardhur në këtë gjendje.
“Ky Telekom deri në 500 milionë euro ka dhënë dividendë, kurse tash shkaku i menaxhimit të dobët, duke sjell kryeshefa që as lidhje nuk kanë me menaxhim e kanë sjell në këtë gjendje”, ka thënë Balaj në Interaktiv.