3 mijë e 331 raste aktive me Covid-19 në Kosovë

Kosova po përballet me numër të madh të rasteve me COVID-19, e po ashtu edhe me numrin e vdekjeve. Mbi 3300 raste janë aktive sot me koronavirus.

Që nga marsi kur edhe u shënuan rastet e para, janë gjithsej 7.652 raste nga 35.121 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2, me gjithsej 192 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 4.129 raste, kurse numri i rasteve aktive është 3.331.

Reklama e sponzorizuar

Rritja e madhe dhe e shpejtë e numrit të të infektuarve me COVID-19 ka detyruar Qeverinë e Kosovës të imponojë masa të reja restriktive, të martën, në përpjekjen për frenimin e përhapjes së virusit, raporton KOHA.

Në mesin e masave të miratuara nga Qeveria, sipas njoftimit të lëshuar të martën në mbrëmje, është edhe regjimi i ri i hyrjeve në Kosovë nga vendet e tjera, si dhe ndalesa e të gjitha tubimeve publike dhe ahengjeve familjare, sikur edhe pjesëmarrja fizike e qytetarëve në të gjitha ceremonitë fetare, që tashmë do të përfshijë edhe faljen e Bajramit nëpër xhamitë e vendit, të premten.