Përfaqësues të shoqërisë civile i kanë bërë thirrje Kuvendit të Kosovës që të miratojë brenda afateve kohore Projektligjin për buxhetin e vitit 2019, i cili pas miratimit në parim më 21 dhjetor, ka mbetur ende pa u shqyrtuar dhe votuar për miratimin përfundimtar.
Agnesa Haxhiu, monitoruese e punës së Kuvendit të Kosovës nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), në një bisedë për Radion Evropa e Lirë thotë se Kuvendi i Kosovës është duke neglizhuar shqyrtimin e Projektligjit për buxhetin për vitin 2019.
Sipas saj, Kuvendi ka dy muaj afat të rregullt kohor në dispozicion që t’i japë miratimin final këtij projektligji që nga data kur Qeveria e ka proceduar atë në Kuvend. Në të kundërtën, thekson ajo, rrezikohen pagat e punëtorëve në sektorin publik, por edhe shpenzimet nga organizatat buxhetore.
Ndryshe, në bazë të procedurave ligjore, nëse buxheti nuk është miratuar, Kuvendi me anë të një vendimi, mund të autorizojë vazhdimin e zbatimit të Ligjit për ndarjet buxhetore të vitit të kaluar fiskal. Ligji për ndarjet buxhetore i vitit të kaluar fiskal, në asnjë rast, nuk mund të vazhdojë të zbatohet për më gjatë se tre muaj të vitit të ardhshëm fiskal.