Mbrëmë pasmesnatës ka pasur ndërprerje të rrymës në Klinikën Infektive në QKUK, por fatmirësisht nuk ka pasur pasoja tek pacientët
Gazeta Shneta ka mësuar nga burime se rryma është ndalë pas orës 12:00 të natës dhe ka zgjatur për rreth 30 minuta. Rryma është ndalur edhe në njësinë intensive janë duke u trajtuar tre pacientë me Covid-19 në gjendje të rëndë.
Fatmirësisht ndërprerja e rrymës nuk ka shkaktuar pasoja tek pacientët dhe as komplikim të gjendjes së tyre, fal ndërhyrjes së shpejt të stafit që ka arritur ta menaxhojë situatën.
Lajmin se ka pasur ndërprerje të rrymës e ka konfirmuar edhe menaxhmenti i SHSKUK-së. “Mund të ju konfirmojmë se ka pasur një ndërprerje të rrymës, por pa pasoja tek pacientët që gjenden në klinikë. Menjëherë janë aktivizuar shërbimet teknike”, kanë deklaruar nga SHSKUK.
Gazeta ka mësuar se stafi i klinikës infektive është tronditur nga kjo situatë nga frika se mund të përsëritet nata e 5 korrikut kur ndërruan jetë 4 pacientë në rrethana të dyshimta. Në Klinikën Infektive janë duke u trajtuar gjithsej 108 pacientë prej të cilëve 5 me CPAP dhe 52 me oksigjenoterapi.