170 eurot e pakos emergjente, nga Presidenca ende nuk e kanë pranuar Projektligjin për Rishikimin e Buxhetit!

Presidenti i Kosovës ende nuk e ka dekretuar projektligjin për rishikimin e buxhetit, shkruan GazetaBlic.

Nga Zyra e Presidentit të Kosovës, thonë për GazetaBlic se ende nuk e kanë pranuar projektligjin i cili më 30 korrik, me 72 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim është miratuar në lexim të dytë rishikimi i buxhetit për vitin 2020.

“Ende nuk e kemi pranuar projektligjin nga Kuvendi”, thonë nga Zyra e Presidentit për GazetaBlic.

Reklama e sponzorizuar

Ndërsa Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami kishte thënë se ky dikaster ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme dhe pas dekretimit të ligjit nga Presidenti Thaçi, do të ekzekutohen të gjitha pagesat e pakos emergjente.

“Si Ministri e Financave, kemi bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme që menjeherë pas dekretimit të ligjit nga Presidenti i Republikës së Kosovës, të ekzekutojmë pagesat për masat e pakos së kaluar”.

Kuvendi i Kosovës ka 10 ditë afat ligjor që të dërgojë projekligjin tek presidenti, dhe nga ky moment presidenca ka në dispozicion 8 ditë për të parë nëse ligji është në përputhje me Kushtetutën dhe ta dekretojë atë.