Një ditë pas kërkesës urgjente të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, edhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka kërkuar pezullimin e punimeve në rrugën R108 që prek zonën e Manastirit të Deçanit.
Zyra e Kryeministrit përmes një komunikate për media bën të ditur se Hoti ka kërkuar që të pezullohen punimet në rrugën R108, e cila, në një pjesë të saj, e prek zonën e veçantë të mbrojtur të Manastirit të Deçanit.
“Kryeministri Hoti e vlerëson rëndësinë jetike që ka kjo rrugë për qytetarët e kësaj ane dhe përtej saj, megjithatë duhet respektuar legjislacioni në fuqi i miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, si dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës”, thuhet në njoftim.
Tutje bëhet e ditur se duke e ditur ndikimin e drejtpërdrejtë të kësaj rruge në ekonominë dhe në cilësinë e jetës së banorëve të Komunës së Deçanit, Hoti e mbështet shqyrtimin e të gjitha mundësive ligjore dhe praktike në terren për ta kompletuar këtë rrugë që e lidh Republikën e Kosovës me Republikën e Malit të Zi, transmeton KOHA.
“Hoti rithekson përkushtimin e plotë të Qeverisë dhe të popullit të Kosovës për t’i ruajtur dhe për t’i respektuar objektet sakrale si një vlerë e përbashkët e trashëgimisë së pasur shpirtërore të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Kreu i Deçanit, Bashkim Ramosaj, dje kishte njoftuar se janë pezulluar punimet në këtë rrugë.