Numër i madh i nxënësve mëngjesin e së hënës ia kanë mësyrë shkollave të mesme në kryeqytet për tu regjistruar për vitin e ri shkollor, raporton Ekonomia Online.
Para shkollës “Sami Frashëri” dhe “Ahmet Gashi”, nxënësit edhe pse ishin renditur në radhë nuk kanë mbajtur distancën e nevojshme.
Edhe pse nuk ka një vendim përfundimtar, mosmbajtja e distancës dhe mos respektimi i masave tjera është një nga arsyet pse shkollat nuk pritet të fillojnë mësimin fizikisht në shkolla në shtator.
Pas anulimi të testit të arritshmërisë, regjistrimi në klasën e dhjetë këtë vit do të bëhet vetëm në bazë të notës mesatare që nxënësit ka treguar nga klasa e 6 deri në të nëntën.
Në bazë të një vendimi të Ministrisë së Arsimit, për regjistrimin e nxënësve në klasën e 10-të në gjimnaze dhe shkolla profesionale mund të konkurrojnë kandidatët të cilët e kanë mbaruar arsimin e obligueshëm dhe nuk janë më të vjetër se 17 vjeç.
Për t’u pranuar në shkollën e mesme nxënësi duhet t’i plotësojë disa kritere, si nota mesatare e të gjitha lëndëve nga klasa e 6 deri në të nëntën, që do të vlerësohet me 60 pikë, dhe nota mesatare nga lëndët prioritare, që do të vlerësohet me 40 pikë.
Ndërkaq për gjimnaze dhe shkolla të mesme të mjekësisë kriteri i lëndëve prioritare është që mesatarja e këtyre lëndëve të jetë 4 e më lart.
Konkursi për pranimin e nxënësve shkolla të mesme do të qëndrojë i hapur deri të premten, ndërsa rezultatet do të shpallen më 24 gusht.