Deri në 17 mijë e 640 euro pritet t`i kushtojë buxhetit të Kosovës udhëtimi i delegacionit prej gjashtë anëtarësh për bisedimet me Serbinë në Uashington.
Për takimin që do të mbahet të premten, më 4 shtator, në Shtëpinë e Bardhë, kryeministri Avdullah Hoti do të shoqërohet nga zv. kryeministrat Driton Selmanaj dhe Albulena Balaj, ministrat Selim Selimi dhe Arban Abrashi dhe shefja e kabinetit Ardita Dushi.
Sipas listës së tarifave për shpenzimet e udhëtimit zyrtar jashtë vendit të ndryshuar në qershor të 2018-s, çdo zyrtar shtetëror që udhëton për në Amerikë ka në dispozicion 330 euro për shpenzime ditore, prej të cilave 214 euro e 50 centë për fjetje e 115 e 50 centë për ushqim e shpenzime të tjera të vogla, raporton KOHA.
Bazuar në këtë shumë, i bie që brenda një dite gjashtë anëtarët e delegacionit të shpenzojnë 1 mijë e 980 euro.
Nëse llogarisim nga e hëna, mëngjesin kur Hoti dhe delegacioni i tij janë nisur për në ShBA e deri të premten, kur do të mbahet takimi, atëherë për pesë ditë secili zyrtar do të ketë në dispozicion për të shpenzuar 1650 euro, apo në total 9900 euro për gjashtë anëtarët.
Përveç shpenzimeve ditore, nga buxheti i Kosovës do të paguhen edhe biletat e udhëtimit.
Nëse për mostër merret shuma prej 1290 eurosh, sa ka paguar koordinatori për dialogun, Skënder Hyseni për udhëtimin e tij në SHBA, atëherë për gjashtë biletat e delegacionit do të paguhen 7 mijë e 740 euro.
Përveç Hotit dhe pesë anëtarëve të tjerë të ekipit, nuk është bërë e ditur numri i personave nga stafi përcjellës i kryeministrit e ministrave.