Rotacioni i proklamuar nga ministrja Meliza Haradinaj ka hasur në rezistencë, pasi jo të gjithë diplomatët kanë pranuar të kthehen në Prishtinë.
Diplomati i Kosovës në Bernë të Zvicrës, Rrahim Morina, me gradën ministër-këshilltar për disa javë ka vazhduar të dalë në zyrë, ani pse vendimi për kthim i kishte shkuar më 30 gusht. Burime të KOHËS brenda Ministrisë së Jashtme kanë thënë se Morina i ka dorëzuar çelësat tek më 11 shtator pasi është bindur se MPJ-ja nuk do ta rishqyrtojë vendimin për kthim.
Por Ministria vazhdon t’ia paguajë qiranë e banimit në Zvicër. Sipas burimeve, Morina ka bërë kërkesë në MPJ për t’ia vazhduar mandatin, por që atij nuk i është ofruar një përgjigje.
Siç merr vesh KOHA, një nga arsyet e refuzimit të vendimit ka qenë se Morina pret ndryshim të partnerëve të koalicionit dhe futjen e PDK-së në koalicion. Ai ishte bërë pjesë e shërbimit në vitin 2012, kur kjo parti ishte në pushtet.
Refuzimi për t’iu bindur vendimit të MPJ-së është kuptuar edhe nga autoritetet zvicerane, pasi ato janë njoftuar që diplomati i lartcekur ka vendim për t’u kthyer në Prishtinë dhe ai obligohet ta dorëzojë kartelën tek autoritetet.
KOHA ka pyetur në Ministri prej javës së kaluar në lidhje me rastin, por nuk kanë ofruar sqarime. Ndërkaq Morina i kontaktuar nga KOHA ka thënë se informatat janë të pasakta, por ka sugjeruar që pyetjet t’i drejtohen MPJ-së.
Ambasada ku punonte Morina udhëhiqet nga ambasadori Sami Ukelli dhe ka një staf prej gjashtë punonjësve. Ndërkaq dy punonjës të tjerë janë pjesë e seksionit konsullor. Përveç Morinës, emri i të cilit është larguar tashmë nga faqja zyrtare, në pozitën e njëjtë ministër-këshilltar janë edhe dy diplomatë të tjerë.
Ministrja Meliza Haradinaj ka aplikuar standarde të dyfishta kur ka shqyrtuar ligjshmërinë e vendimeve të Glauk Konjufcës për kthimin në Prishtinë të rreth 50 diplomatëve.
Ndonëse arsyeja e kthimit ishte qëndrimi i jashtëligjshëm i tyre në misione, Haradinaj ka vendosur që disave t’ua zgjasë qëndrimin e disa t’i kthejë në Prishtinë. Ata që kanë përfituar kryesisht kanë lidhje me njerëz të partive që tash janë në pushtet.