Si arriti Kroacia ta shpëtojë sezonin turistik?

Kroacia arriti të shpëtojë sezonin turistik, i cili performoi mirë në korrik dhe gusht, por tashmë vendi po e paguan këtë me shifra rekord të infeksioneve me koronavirus.

Nëse marrim parasysh numrin e infeksioneve për 100,000 banorë, Kroacia është bërë vendi i 6-të më i prekur në Europë në dy javët e fundit, pas Spanjës, Maltës, Luksemburgut, Rumanisë dhe Francës (të dhëna nga Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, ECDC).

Nga ana tjetër, vendi i ka kushtuar rëndësi sezonit turistik, ose më saktë përpjekjes për të kursyer me çdo kusht muajt korrik dhe gusht, të cilët janë të rëndësishëm për ekonominë kombëtare. Më shumë se 2 milionë turistë vizituan Kroacinë në korrik dhe 2.3 milionë në tre javët e para të gushtit – më pak se vitin e kaluar, por jo një rënie dramatike. Në fakt, mesatarisht, vendi regjistroi dy të tretat e fluksit të vitit 2019, disa zona deri në 70%.

Reklama e sponzorizuar

Pra, nga një këndvështrim krejtësisht ekonomik (turizmi vlen pothuajse sa një e treta e PBB-së në Kroaci), Zagrebi duket se ka bërë zgjedhjen e duhur, duke vendosur masa shumë të rrepta në pranverë dhe duke arritur në fillim të qershorit në 0 infeksione ditore, në kohë për ta reklamuar veten si një vend i parrezikshëm për të kaluar pushimet.

Megjithatë, pas zgjedhjeve të përgjithshme të 5 korrikut dhe me fillimin e sezonit turistik, numri i infeksioneve nisi të rritet sërish dhe arriti kulmin në mes të gushtit. Tani, teksa sezoni veror po mbyllet, masat emergjente do të rishfaqen ndërsa Kroacia do të përfundojë në listën e zezë të shumë vendeve europiane.

“Nuk duhet të ketë karantinë të re, qëllimi është t’u japim përgjegjësi njësive vendore të krizës”, tha të hënën e kaluar, ministri i Brendshëm kroat, Davor Božinović. Ministri sqaroi se në administrimin e epidemisë në javët e ardhshme, qeveria parapëlqen një qasje rajonale, duke marrë parasysh ndryshimet midis rajoneve të Kroacisë. Me fjalë të tjera, duke qenë se rritja e infeksioneve është vënë re kryesisht në Istrinë, Dalmaci dhe Zagreb, kufizimet do të imponohen vetëm në këto zona.

Mosha mesatare e njerëzve të infektuar është shumë më e ulët se në “valën e parë” (pak më shumë se 30 vjeç), gjë që do të thotë se për momentin nuk ka mbingarkesë në spitale.
Megjithëse Božinović siguroi disa vjet më parë se “më pak se 1% e turistëve janë infektuar”, imponimi i masave të reja të karantinës nga shtetet fqinje, sipas shtypit lokal, ka provokuar një eksod të hershëm të mijëra vizitorëve.

U raportuan radhë në hyrje të Austrisë dhe Sllovenisë, të shkaktuara nga turistë, të cilët zgjodhën të ndërpresin pushimet në Kroaci për të shmangur kalimin e dy javëve në karantinë pas kthimit në shtëpi. Nga ana tjetër, shtypi kroat vëren se, pavarësisht nga njoftimi i masave të reja kufizuese në Mbretërinë e Bashkuar, dy aeroplanë me udhëtarë britanikë erdhën rregullisht në Dubrovnik fundjavën e kaluar.Me pak fjalë, duket se është ende shumë herët për të përcaktuar një trend në sezonin turistik të këtij viti, i cili për momentin duket se nuk ka qenë katastrofik – të paktën për muajt korrik dhe gusht. Veljko Ostojić, drejtori i bordit turistik kroat, tha për Glas Istre se pavarësisht përkeqësimit të situatës epidemiologjike, “nuk duhet të braktisim pjesën tjetër të sezonit”.

Humbja e të ardhurave nga turizmi në shtator dhe tetor nuk do të ishte një veprim i mençur”, argumentoi Ostojić. Në të njëjtën kohë, shtoi ai, do të nevojiten subvencione për sektorin.

Teksa po dalin rishikimet e para të sezonit turistik, me parashikimet e të ardhurave dhe komentet mbi akomodimet më të njohura (kampet dhe hotelet e mëdha, të afta për të garantuar standarde të cilësisë së lartë), një tjetër problem që ka lindur në Kroaci është rihapja e shkollave. Në çfarë kushtesh do të jenë në gjendje shkollat të fillojnë aktivitetin më 7 shtator?

Tani për tani, Ministria e Arsimit ka informuar se në klasa do të jenë të nevojshme maskat, nëse nuk është e mundur të mbahet një distancë prej 1.5/2 metrash midis nxënësve. Në shkollat fillore, temperatura e nxënësve do të matet çdo ditë. Nëse një fëmijë rezulton pozitiv, e gjithë klasa do të duhet të futet në karantinë dhe pastaj do të rifillojnë mësimet online.