Marketet po zbatojnë vendimin për mospërdorim të vajit të palmës

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, gjatë inspektimit nëpër qendra tregtare, tha se është i kënaqur me faktin se nuk po përdoret vaji i palmës.

“Sot ishim për vizitë te disa pika tregtare në Prishtinë për të parë nga afër sesa po zbatohet vendimi i nxjerr më 11 shtator e që ka hyrë në fuqi nga data 15 shtator. Ku si arsyeshmëri e kësaj është përdorimi i yndyrës apo vajit të palmës. Ne, sot, nga afër pamë ndarjen e produkteve bimore dhe shtazore se sa po e zbatojnë këtë vendim marketet tona. Dhe nga ajo që pamë deri më tani jemi të kënaqur dhe vendimi ka filluar të zbatohet në përpikëri”, është deklaruar Krasniqi, njofton kumtesa e ministrisë.

Ministri ka njoftuar se me vendim është ndaluar importi i të gjitha produkteve që kanë përmbajtje të vajit të palmës.

Reklama e sponzorizuar

“Sigurisht ky vendim është i përkohshëm. Ne me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës kemi bërë të gjitha përgatitjet, kemi marrë mostra te disa prej produkteve që kanë përmbajtje të vajit të palmës dhe janë shitur si produkte të qumështit. Me këto veprime dhe vendime duam ta sigurojmë konsumatorin se çfarë produkte po konsumon”, tha tutje ai.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka vendosur më 11 shtator që të ndalojë përkohësisht importin e vajit të palmës, importin e djathit dhe produkteve të ngjashme të djathit të prodhuara me yndyrë bimore.