“Pagat në sektorin publik mund të ulen shumë shpejt”

Zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi ka paralajmëruar uljen e pagave në sektorin publik. 

Krasniqi po thotë se për të shpëtuar sektorin privat në Kosovë, ai ka një ide tjetër, që nuk përjashton mundësinë e uljes së pagave në sektorin publik.

Ai ka thënë se Qeveria duhet të vendosin nëse duhet t’i zvogëlojnë subvencionet, grantet në bujqësi apo pagat në sektorin publik, prandaj sipas tij nuk përjashtohen asnjë mundësi që të ketë zvogëlime/ulje në këto sektorë.

Reklama e sponzorizuar

“Ne duhet tash të vendosim a duhet t’i zvogëlojmë shpenzimet në investime, a duhet t’i zvogëlojmë shpenzimet në subvencione e që nuk ka mundësi se janë të gjitha obligime ligjore. A duhet t’i zvogëlojmë subvencionet dhe grantet në bujqësi, a duhet t’i zvogëlojmë investimet publike apo duhet t’i zvogëlojmë edhe pagat. Prandaj, në këto raporte nuk përjashtohet asnjë mundësi, po them edhe pagat, për arsye që në rast se i zvogëlojmë investimet ne do ta zvogëlojmë mundësinë e rritjes ekonomike, e që kjo ndikon komplet edhe në sektorin privat. Unë po e mirëkuptoj nga një herë edhe sektorin privat kur thonë se ju sektori publik nuk jeni prek prej pandemisë, sepse kanë të drejtë. Prandaj, është mirë më shpejt të intervenohet”, thotë Krasniqi KP.

Krasniqi tha po ashtu se për vendimin e fundit të Qeverisë për ndarjen e 87 milionë eurove për rimëkëmbje ekonomike, se javën tjetër nis ekzekutimi i mjeteve për bizneset private në shumën prej 60 milionë euro dhe 12 milionë euro për bujqësi.