Oda Ekonomike e Kosovës ka dalur me qëndrim të saj lidhur me tendecën për ndryshimin e ligjit për automjete.
Ky dikaster e sheh me shqetësim këtë nismë për ndryshim të ligjit për automjete, përmes të cilit synohet heqja e shërbimit për homologim, njofton Klan Kosova.
Sipas OEK, homologimi është kontroll parandalues apo procedurë e verifikimit të kushteve obligative, përkitazi me gjendjen përshtatshmërisë teknike të automjeteve për pjesëmarrje në rrugë.
”Ne si OEK mbështesim iniciativat relevante të Qeverisë për lehtësim masash në çdo lëmi që ndikojnë në të bërit biznes por jo edhe atëherë kur ato bien ndesh me interesin e publikut dhe interesin e përgjithshëm”.
”Rrjedhimisht, OEK e sheh me shqetësim nismën e ndryshimit të ligjit për automjete përmes së cilit synohet heqja e të ashtuquajturit ”shërbim i homologimit”që aplikohet në veçanti për mjetet rrugore që importohen”.
”Homologimi – kontrolli i përshatashmërisë së mjeteve në import është kontroll parandalues apo filtër i verifikimit të kushteve obligative për pjesëmarrje në rrugë, përkitazi me gjendjen e përshtatshmërisë teknike, ambientale dhe administrative. Jo pa arsye ky shërbim i kontrollit përmes homologimit në import aplikohet edhe në vende të tjera përtej atyre të rajonit siç janë: Slovenia, Kroacia, Austria, Zvicra, Anglia, Slovakia, Holanda, Estonia, Irlanda, etj”.
Gjithashtu në dokumentin që ka siguruar Klan Kosova, Oda Ekonomike vlerëson se efekti i kontrollit në import të automjeteve bëhet edhe më i domosdoshëm ashtu siç e ka ligji aktual.
Kjo kur vihet parasysh se vendet e zhvilluara edhe brenda BE-së po synojnë të pastrojnë flotën e tyre të automjeteve duke përdorur masa stimuluese për heqjen e tyre nga qarkullimi.
Kundër ndryshimit të këtij ligji ditë më parë dolën edhe nga Dhoma Britanike e Tregtisë në Kosovë.
Të njëjtit kërkuan masa për mbrojtjen e mjedisit nga automjetet e vjetra, ku si rezultat ndryshimi i ligjit për homologim do ishte shqetësues.
Lidhur me këtë nismë ka reaguar gjithashtu edhe Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare.
Ndërsa kundërshton këtë iniciativë, Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare apelon që ligji të mos ndryshohet, por Kosova të ndjekë shembujt e vendeve anëtare të Bashkimit Europian.