Unë kam bërë çdo gabim punësimi të mundshëm. Gjithçka për të cilën po ju paralajmëroj këtu, e kam bërë tashmë, e cila dëshmon se jam njëri nga ju.
Shumica e ndërmarrësve mësojnë gjëra të vështira rreth punësimit të njerëzve të duhur vetëm pasi të punësojnë ata të gabuarit. Edhe pasi e kuptojnë gabimin, pronarët e bizneseve ende mund të jenë të prirur ndaj gabimeve. Pavarësisht se a jeni një ndërmarrës me përvojë ose një pronar i ri i biznesit, ia vlen të dini këto pesë karakteristika të të punësuarve potencialisht të dëmshëm.
Ata ndryshojnë punët
Njerëzit të cilët kalojnë nga puna në punë do të largohen edhe nga ju herët ose vonë dhe më shumë gjasa, shumë shpejtë. Në këtë rast, e kaluara parashikon të ardhmen. Çdo aplikues të cilin e kam intervistuar dhe i cili ka ndryshuar punët ka ofruar një arsye të shkëlqyer për largimin nga çdo punëdhënës i kaluar. Ata janë shumë efikasë në shpjegimin e arsyeve të tyre.
Përderisa disa industri dhe pozita kundërshtojnë aplikimin universal të këtij rregulli tim të pashkruar, unë kërkoj njerëz me punësim stabil, afat gjatë në një kompani në karrierat e tyre profesionale. Kjo do të thotë pesë ose më shumë vite, sipas meje. Faktori më i rëndësishëm është aftësia e një kandidati për të krijuar një marrëdhënie me një kompani gjatë një periudhe të gjatë.
Ata nuk ju tregojnë çfarë bënë në punën e tyre të kaluar
Kujdes nëse roli aktual ose i mëparshëm i kandidatit ishte i paqartë dhe me arritje të paqarta. Kompanitë ndërmarrëse duhet të fokusohen në njerëz të cilët mund të rrisin të ardhurat, të ndërtojnë gjëra dhe t’i përfundojnë ato.
Përderisa kërkoj punësim stabil brenda një kompanie, unë gjithashtu jam i vetëdijshëm se njerëzit me role të paqarta mund të fshihen në kompani më të mëdha, nganjëherë me vite. Kandidatët duhet të shpjegojnë qartë se çfarë kanë bërë dhe se si në mënyrë specifike ndihmuan kompaninë. Mendoni për skenën e këshillimit në ‘’Office Space’’ dhe pyetjen për çdo punonjës: ‘’Çfarë do të thoshe se bën këtu’’?
Emrat e tyre shfaqin rezultate negative gjatë kërkimit
Është gjë e qartë nëse një kërkim në Google zbulon se emri i një kandidati është akuzuar për hedhje me parashutë i zhveshur në Empire State Building. Mirëpo, në jetën e vërtetë, nuk është aq e thjeshtë. Në minimum, shqyrtoni të gjithë kandidatët me një kërkim online dhe me një kërkim tërësor në platformat e medias sociale, brenda limitive ligjore, sigurisht.
Referencat e tyre nuk tregojnë gjëra të shkëlqyera
Njerëzit në përgjithësi nuk dëshirojnë të thonë gjëra të këqija për të tjerët. Gjatë kontrollimit të referencave, pyetja e një shumëllojshmërie të pyetjeve delikate mund t’i kursejë kompanisë tuaj para dhe turp. Unë kam vënë re një tendencë të minimizimit të kësaj faze të procesit të punësimit. Është shumë e rrallë sot të pranosh reagime negative sa që shqetësohem kur një kontakt i referencës ka diçka të pakëndshme për të thënë për një kandidat të punës.
Ata flasin gjëra negative për të tjerët
Ky është një problem i madh. Kur kandidatët flasin negativisht për një punëdhënës aktual ose të mëparshëm, një koleg ose të afërt, ata po ju japin njohuri të vlefshme për karakterin e tyre. Njerëzit të cilët ulin poshtë të tjerët do të kenë më shumë gjasa të sjellin atë filozofi negative në rolin e tyre, kompaninë dhe ekipin tuaj. Nuk ia vlen të rrezikoni duke punësuar këta individë, pavarësisht se çfarë aftësi kanë.
Ka edhe një tjetër gjë e cila nuk ka hyrë në këtë listë po flet për karakterin e tyre: Ata nuk i bëjnë gjërat bazë. Keta kandidatë nuk dinë asgjë për kompaninë tuaj, sillen keq me recepsionistët dhe harrojnë të dërgojnë një shënim falenderues pas intervistës.
Ndërmarrësit fokusohen në përfundimin e gjërave shpejtë. Në terme të punësimit, ky mund të jetë një gabim i madh. Mbani në mend thënien: ‘’Punësoni ngadalë, përjashtoni shpejtë’’. (Brian Hamilton/Entrepreuner)