Evropa përballë kufizimeve drastike pas intensifikimit të valës së dytë të COVID-19

Shtetet evropiane janë duke zbatuar një sërë masash të reja të kufizimit, teksa vala e dytë e shpërthimit të koronavirusit po e godet kontinentin.

Liderët evropianë pritet që të ndërmarrin veprime drastike të cilat mund t’i dëmtojnë rëndë ekonomitë, me qëllim të frenimit të valës së re të përhapjes së COVID-19, duke i pasuar shembujt e Francës dhe Spanjës që veçse janë detyruar t’i shtrëngojnë kufizimet në qytetet e tyre më të mëdha.

Ashpërsimi i masave vjen pasi drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, paralajmëroi se lejimi i përhapjes së koronavirusit në shpresë të arritjes së të ashtuquajturit “imunizim i tufës” do të ishte “shkencërisht dhe etikisht problematik”.

Reklama e sponzorizuar

Italia, një prej shteteve më të goditura nga vala e parë e koronavirusit në Evropë, pritet që të zbatojë rregulla të reja gjatë kësaj jave, pasi raportoi gjatë së dielës numrin më të lartë të pacientëve me koronavirus të shtrirë në spitale që nga 31 marsi. Gjatë së enjtes, autoritetet në Romë e bënë të detyrueshme bartjen e maskave në vende të mbyllura dhe të hapura, duke i përjashtuar nga rregulli vetëm fëmijët, personat me aftësi të kufizuara apo me patologji që e pamundësojnë bartjen e tyre. Të gjithë ata që kapen pa maska do të përballen me gjoba prej 400 deri në 1.000 euro.

Si një prej vatrave të reja të pandemisë në Evropë, Britania e Madhe ka zbatuar një sistem të ri të niveleve të alarmit në Angli, teksa autoritetet po mundohen që ta frenojnë përhapjen përbrenda vendit. Sipas këtij sistemi, secila zonë e shtetit do të vendoset në nivelet “e mesme”, “e lartë” apo “shumë e lartë” të alarmit, ka njoftuar Doëning Street. Liverpooli në veriperëndim të Anglisë pritet të përfshihet në shkallën e alarmit më të lartë, në kuadër të së cilës parashihet shtrëngimi i kufizimeve si dhe mbyllja e palestrave, kafeneve dhe kazinove.

Pos kësaj, kryeministri Boris Johnson ka ashpërsuar masat e kufizimit edhe në pjesë të tjera të vendit, duke marrë vendim për mbylljen e kafeneve që konsiderohen burim i rritjes së rasteve me COVID-19. Qeveria britanike ka raportuar për 12.872 raste dhe 65 vdekje gjatë së dielës, që nënkupton se vendi ka tani gjithsej 603.716 të infektuar dhe 42.825 të vdekur nga pandemia.

Në Gjermani, qytetet më të mëdha janë shndërruar në epiqendra të virusit gjatë ditëve të fundit, me ç’rast Berlini ka raportuar numrin më të lartë të rasteve, e pasuar nga Këlni, Duselforfi, Eseni dhe Shtutgarti. Gjatë 24 orëve të fundit, Gjermania raportoi për 2.467 pacientë të rinj të prekur me COVID-19 vetëm një ditë pasi vendit iu shtuan 4.000 raste pozitive, që ishte njëherësh shifra më e lartë që prej prillit.