“Nëse të gjithë mbajnë maska, virusi zhduket për 6 javë”

Mjeku shqiptar në SHBA, Skënder Murtezani tha se maska është mjeti i vetëm mbrojtës, në një kohë kur ende nuk ka një vaksinë për të luftuar virusin.

Duke marrë shembullin e Zelandës së Re, profesori i mjekësisë klinike në Cornell bëri thirrje që “të bëhemi bashkë për 6 javë që të nuk lejojmë virusin të shumohet dhe faktikisht do të ishte vdekja e virusit”.

“Që nga fillimi i intervistave të mia, disa e kanë quajtur dhe ekstreme mendimin tim që të përdoren maskat në mënyrë rigoroze”.

Reklama e sponzorizuar

Mjeku i njohur nga Tetova Skënder Murtezani ishte sot i ftuar në një lidhje me Skype në emisionin “Abc-ja e mëngjesit”.

“Maskat ishin shpëtimi i vetëm deri sa të vijë vaksina. Po ashtu duke patur parasysh se asnjë vaksinë nuk është 100 përqind e kurueshme, maska është e vetmja gjë që pengon përhapjen e virusit. Kjo sëmundje përhapet nëpërmjet përshtymës, të folurit, kollitjes apo teshtitjes dhe kujdesi i vetëm është maska”, tha ai.

“Maska është shpëtimi i vetëm në këtë moment. Propozova një gjë shumë të thjeshtë. Po të bëhemi bashkë për 6 javë nuk do t’i lejojmë virusit të shumohet dhe faktikisht do të ishte vdekja e virusit por duhet të jemi të një zëri nuk ka vend për politikën, të spekulohet dhe të kapen teorira të ndryshme”.

Lidhur me vendimin e qeverisë shqiptare, për ta bërë të detyrueshme mbajtjen e maskës edhe në rrugë, ai e quajti atë vendimin e duhur.

“Iu them të gjithëve dhe qeverisë të mundohemi dhe të bëhemi bashkë të përdorim maskat për 6 javë. Unë premtoj se do të zhduket”, theksoi mjeku shqiptar në SHBA.