Ekspertët amerikanë kanë identifikuar katër profile karizmatike që mund të ndikojnë punën e punonjësve të tjerë… Tre janë pozitivë, ndërsa njëri është më i rrezikshmi
Sa e vështirë është këto kohë të bësh një kompani të funksionojë. Ka shumë ndryshime për të bërë, për të organizuar smart working, në shumë raste, dhe për të futur teknologji të reja. Por një gjë është e sigurt, pavarësisht hierarkive të qarta dhe të sakta në shumë kompani, që një makinë të funksionojë duhet që të gjithë përbërësit e tij të punojnë në një drejtim. Por si mund ta kontrollojë situatën një drejtues nëse nuk njeh mendimet dhe motivimet e punonjësve të tij? Zgjidhja është në një fjalë: influencuesit. Dhe nuk po flasim për fushën e modës.
Në të vërtetë, bëhet fjalë për identifikimin, përfshirjen dhe aktivizimin e atyre punonjësve, të cilët, për arsye të ndryshme, ushtrojnë ndikim tek punonjësit e tjerë. Ata, duke bashkëpunuar me drejtuesit, mund të krijojnë “shumëzues të forcës” së brendshme për të përcjellë mesazhe pozitive. Në çdo kompani, influencer-ët ndahen në katër kategori: tre janë pozitivë, njëri, jo dhe aq.
Katër tipa influencuesish
Ekspertët amerikanë në fushën e analizës së network-ut në vendin e punës, të intervistuar nga Forbes, i kanë ndarë influencuesit në Mayors, Energizers, Bridges dhe De-Energizers.
Më saktë, Mayor është ‘kryetari i bashkisë’, është ai që njeh gjithë të tjerët, pavarësisht se çfarë roli kanë në organigramë. Me kaq shumë kontakte mund të jenë pika kyçe në mbështetjen e një ideje të re, pasi shumë njerëz të tjerë do ta përkrahin.
Energizer është ai person që përcjell energji, një nga ata që pasi të keni folur do të largoheni me energji pozitivë e do t’ju bëjë më entuziastë. Ata janë stimuluesit, agjentët fenomenalë të ndryshimit.
The Bridge është një influencer i aftë të bëjë urën lidhëse, mes grupeve të ndryshme, arrin t’i vërë në kontakt dhe t’i bëjë të bashkëpunojnë më mirë.
I fundit, është më i rrezikshmi, është De-Energizer, i cili përpiqet gjithnjë të largojë entuziazmin në projekte dhe nisma të reja.
Si t’i identifikoni influencer-ët
Një mënyrë e thjeshtë për të identifikuar influencuesit në një kompani mund të jetë sondazhi. Sipas ekspertëve të brendshëm të komunikimit në kompani, kjo është një zgjidhje pak teknologjike në ditët e sotme, por ndër më efikaset. Këto janë pyetje të thjeshta për të kuptuar se si është e përbërë “popullsia” e një zyrë e se si mund të lidhet, përveç hetimit të kënaqësisë mbi atë se sa ndiheni të përfshirë në punë. Ju mund t’i pyesni të intervistuarit që të tregojnë njerëzit më të mirë të cilëve u drejtohen për të marrë informacione, për të kryer siç duhet detyrat që u janë ngarkuar. Ashtu si për çdo sondazh, ju duhet të merrni parasysh marzhin e gabimet, gjithsesi do të merrni informacione të rëndësishme dhe vendimtare.
Si të aktivizoni influencuesit
Sapo të keni identifikuar influencer-ët më pozitivë, këshilla e ekspertëve është të mos u besoni menjëherë influencer-ave Mayors, Energizers, por influencer-ëve Bridges, pasi ata janë në gjendje të marrin pikëpamjet dhe perspektivat e të tjerëve.
Por që qarku drejtues-influencues-punonjës të funksionojë më së miri, duhet që një lider të synojë tek autenticiteti i marrëdhënies, edhe pse kjo nuk është gjithnjë e thjeshtë. Sipas ekspertëve amerikanë, kjo përvojë në kërkim të autenticitetit do të zhvillojë markën dhe reputacionin e saj jashtë.
Burimi: Corriere della Sera