Sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës, gjatë vitit 2019, në Kosovë janë importuar gjithsej 166 mijë e 486 kilogramë gështenja nga vende të ndryshme të botës në vlerë prej 250 mijë e 798 euro.
Blendrita Avdiu
Muaji tetor tradicionalisht njihet si muaji i gështenjës. Në Kosovë ky frut konsumohet me të madhe edhe pse çmimet vazhdojnë të mbesin akoma të larta për qytetarët.
Kilogrami i gështenjave në tregun kosovar aktualisht sillet prej 3.50 deri në 4 euro. Viti 2020 është vlerësuar si një prej viteve me rendimentin më të lartë të këtij fruti.
Prodhimi i gështenjave dhe kulturave të arroreve tradicionalisht është më shumë i pranishëm në territorin e Malsisë së Gjakovës dhe Deçanit. Sipas Drejtorisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në Komunën e Deçanit, e gjithë kjo ka rezultuar të ndodhë për shkak të kujdesit që kjo komunë ka treguar duke ndaluar prerjen ilegale të gështenjës, kurse arsye tjetër për këtë rendiment të lartë të gështenjës nga ky sektor thonë se kanë qenë edhe kushtet e volitshme atmosferike.
Rifat Stojkaj, nga Drejtoria për Bujqësi në Komunën e Deçanit, thotë se në këtë komunë janë gjithsej 687.5 hektarë toke të mbjellura më gështenja, në sipërfaqe publike dhe private.
Në komunën e Deçanit janë gjithsej 5 pika grumbulluese të këtij fruti. Çmimi i shitjes nëpër këto pika grumbulluese është dyfish më i ulët sesa çmimi i zakonshëm që mund ta gjejmë në treg, që nënkupton se këto pika grumbulluese, kilogramin e gështenjës e marrin prej 80 centë deri në 1.50 euro.
“Po deri me tani kemi pasur 5 pika grumbulluese në hyrje të fshatrave. Shitja ka qenë shumë e mirë ndërsa çmimi për një kg ka variruar nga 0.80 – 1.50 euro varësisht nga kualiteti i gështenjës”, tha Stojkaj për Buletinin Ekonomik.
Por edhe pse në Kosovë kultivohet ky frut, sidomos në Deçan, tregtarët në vend thonë se Kosova frunizohet edhe prej vendeve të tjera. Sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës, gjatë vitit 2019, janë importuar gjithsej 159 mijë e 106 kilogram gështenja të paqeruara nga vende të ndryshme të botës në vlerë prej 229 mijë e 605 euro.
Ndërkaq, gështenja të qeruara janë importuar vetëm 7 mijë e 329 kilogram në vlerë të 21 mijë e 192 euro. Totali gjatë vitit që lamë pas, arriti shifrën e 166 mijë e 486 kilogramëve të importuara, kurse shifra e të hollave prej importit të këtij produkti arriti vlerën e 250 mijë e 798 eurove.
Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, për Buletinin Ekonomik ka thënë se Kosova importon gështenja më së shumti nga Greqia dhe Kina.
Mbi 84 mijë kilogram të gështenjave Kosova ka importuar vetëm nga Greqia, të cilat arrijnë vlerën e 122 mijë e 595 eurove.
Ndërkaq, Kina merr pjesë me mbi 36 mijë kilogramë gështenja të ekportuara në tregun kosovar. Vlera e këtij eksporti nga Kina arrin në 60 mijë e 486 euro.
Më 2019 Kosova kishte importuar nga Turqia 22 mijë kilogram gështenja në vlerë prej 47 mijë euro.
Mirëpo përveç këtyre, në importin e gështenjave në tregun vendas përfshihet edhe Maqedonia e Veriut, e cila vitin që lamë pas kishte eksportuar 17 mijë e 555 kilogramë që arritën vlerën e 16 mijë eurove.
Ndërkohë, Shqipëria është vendi me pjesëmarrjen më të ulët të eksportit të këtij fruti në Kosovë. Në vitin 2019 Kosova ka importuar nga Shqipëria vetëm 3 mijë kilogramë gështenja, të cilat kishin vlerë diku 4 mijë e 559 euro. /Buletini Ekonomik/