Gjykata Themelore e Gjakovës, dega në Malishevë ka shpallur fajtor të akuzuarit për posedim të paautorizuar të armëve, zëvendëskryeministrin Dardan Gashi, ministrin e Tregtisë dhe Industrisë Endrit Shala dhe ish-kryetarin e Skenderajt Sami Lushtaku, duke u shqiptuar vetëm dënim me gjobë.
Zëvendëskryeministri, njëherësh ministri Diasporës, Dardan Gashi është dënuar me 1 mijë e 700 euro gjobë. Nëse këtë gjobë nuk e paguan brenda 15 ditëve, kur vendimi të bëhet i plotfuqishëm Gjykata dënimin do ta zëvendësojë me 85 ditë burgim, raporton KTV.
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala është shpallur fajtor dhe është dënuar me 2 mijë e 400 euro gjobë. Nëse i njëjti nuk e paguan dënim me gjobë brenda 15 ditëve kur vendimi të bëhet i plotfuqishëm, ministrit Shala, Gjykata do t’ia zëvendësojë dënimin me gjobë me 120 ditë burgim.
Dënim me gjobë ka marrë edhe ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, i cili është dënuar me 1 mijë e 700 euro.
Fajtorë në këtë rast janë shpallur edhe tre të akuzuarit e tjerë, Behar Amerllahu, Fadil Demiri dhe Sherif Kastrati, duke u dënuar secili me nga 1 mijë e 700 euro gjobë.
Zëvendëskryeministri Dardan Gashi, ministri Endrit Shala dhe ish-kreu i Skenderajt Sami Lushtaku nuk kanë marrë pjesë në këtë seancë.
Ndërkaq, Gjykata ka marrë vendim që të konfiskohen armët që janë përdorur nga tashmë të dënuarit në këtë rast.
Në seancën e fundit gjyqësore, të gjithë të akuzuarit e kishin pranuar se kanë gjuajtur me armë.
Prokurori në këtë rast Ismet Tufaj, kishte kërkuar nga Gjykata që gjatë caktimit të dënimit të marrë parasysh masat lehtësuese.
Prokuroria e Gjakovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Dardan Gashit, Sami Lushtakut dhe Endrit Shalës, për posedim të paautorizuar të armëve. Që të tre ishin parë në një video duke gjuajtur me armë nga dritaret e odës së Fatmir Limajt.
Listës së të akuzuarve për këtë rast iu shtuan edhe Behar Amerllahu, Fadil Demiri dhe Sherif Kastrati.